Protesta të dhunshme janë verifikuar pasditen e së hënës në Barcelonë, për shkak të dënimit të liderëve katalanas nga gjykata e Madridit. Manifestuesit kanë bllokuar rrugë, stacionet e metrove dhe janë përleshur me policinë.
Një seri protestash shpërthyen pasditen e së hënës në Barcelonë, pasi gjykata e lartë e Spanjës dënoi 9 liderë separatistë me dënime nga 9 deri në 13 vjet burg. Separatistët u dënuan për akuzën e kryengritjes për shkak të rolit të tyre në referendumin për pavarësi të dy viteve më parë.
Ndërkohë, tre të tjerë u shpallën fajtorë për mosbindje dhe u gjobitën, duke i shpëtuar burgut. Turma të shumta qytetarësh pro pavarësisë u përleshën me policinë në aeroportin ndërkombëtar të Barcelonës.
Njerëz të shumtë u përpoqën të çanin një kordon policie që mbante të izoluar një pjesë të ndërtesës. Ndërsa në një vend tjetër, oficerët e forcave të rendit përdorën shkopinj gome dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë manifestuesit.
Disa mijëra qytetarë katalanas marshuan gjithashtu në qendër të qytetit, duke bllokuar disa rrugë dhe aksesin në stacionet e metrosë.
Pas vendimit të gjykatës, një urdhër-arrest i ri u lëshua për ish-presidentin katalanas, Çarls Puizhdemont, i cili jeton jashtë vendit.
Në reagimin e tij, Puizhdemont i cilësoi katalanasit viktima të një strategjie represioni dhe hakmarrjeje nga pushteti.
Disa nga 12 liderët e dënuar të hënën kishin mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë dhe parlamentin katalanas, ndërsa të tjerët ishin aktivistë influentë. Gjatë katër muajsh seanca gjyqësore, ata i thanë trupës në Madrid se ishin viktima të një gjyqi të padrejtë dhe të ngritur mbi akuza të rreme. /ABC News Albania 24/7