Bora Mema, studente e universitetit të Tiranës ka folur në studion e ABC News për protestën dhe kërkesat që i parashtrojnë qeverisë, pas heqjes së tarifës për provimet e mbartura.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që ajo nuk mjafton, ishte pika më e lehtë, por e rëndësishme është ulja e tarifave të studimit, se janë të papërballueshme, rritje buxheti për arsimin, se universitetet janë në gjendje të mjerueshme, pikat e tjera lidhen me problematikat e ndryshme të fakulteteve”.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e studentëve për vijimin e protestës deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.
“Do vazhdojmë protestën, deri në plotësim të kërkesave. Nuk do ndalemi”.
Sipas saj deklarata e Kryeministrit për dialog është kontradiktore, tregon që nuk është i hapur për diskutime.
“Gjatë këtyre viteve ne i kemi kërkuar ministrisë të ulemi të diskutojmë. Qeveria gjithnjë ka bërë veshin shurdh dhe nuk i ka marrë në konsideratë mendimet tona. Kryeministri nuk është i hapur për diskutime, gjuha që ai ka përdorur ka qenë: janë në minorancë, ngelësa. Është kontradiktor në ato që thotë”.
Mema theksoi se deri tarifat për arsimin e lartë janë rritur viti pas viti, por qeveria Rama i rriti me 30%. /abcnews.al