Protesta, reagojnë SHBA dhe BE: Lejoni ata në parlament të bëjnë punën e tyre

schedule12:52 - 15 Mars, 2019

schedule 12:52 - 15 Mars, 2019

Një ditë para protestës së organizuar nga opozita, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Deputetëve që kanë lënë mandatin, u kujtojnë se duhet t’i lënë të qetë ata që kanë zgjedhur të punojnë brenda parlamentit.

Protestoni paqësisht e këshillon opozitën ambasada e shteteve të bashkuara të Amerikës duke i kujtuar njëkohësisht se ata që ulen në karriget e deputetëve kanë dalë nga zgjedhje të legjitimuara e të njohura ndërkombëtarisht e që kanë të drejtë të punojnë të qetë.

“Ne vlerësojmë punën e mirë që është bërë në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka ende punë për të bërë. Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre”.

Mbështetjen ndaj atyre që janë përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian e shpreh edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë, konsiderojmë se vendimi për heqjen dorë nga mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë. Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nënvizon se tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit.

“Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i bëjnë thirrje herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!