Protesta për testin e Letërsisë, këto ishin mesazhet “pikante” në pankartat e maturantëve

schedule16:02 - 12 Qershor, 2020

schedule 16:02 - 12 Qershor, 2020

Maturantët, të pakënaqur me mënyrën sesi ishte hartuar provimi i Gjuhës dhe Letërsisë janë ngritur sot në protestë. Të rinjtë janë shprehur se pyetjet në tezë kanë qenë absurde dhe se nuk kishin të bënin me lëndën apo me ato që ata kanë mësuar gjatë këtyre viteve në gjimnaz.

Ata, me pankarta në dorë kanë qëndruar duke protestuar para Ministrisë se Arsimit. Disa shkruanin “E ardhmja jonë vdiq…” ndërsa të tjerë ” Unë linda inteligjent, por sistemi i edukimit më shkatërroi”, por ato që binin më shumë në sy ishin pankartat me “Turin”.

Lexo edhe: “Çfarë bëri Turi, se më iku truri..”: Pyetja e që çoroditi studentët në testin e Letërsisë

Një prej pyetjeve që ka shkaktuar zemërim mes tyre është ajo që kishte lidhje me një personazh të quajtur “Turi”, i cili ishte pjesë i një problemi.

Pyetja e plotë:

Më poshtë, po e sjellim të plotë pyetjen:

“5. Lexoni paragrafin e mëposhtëm

Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkën, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.

Cila nga pyetjet e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?

  1. A) Duke u përqendruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për të kthyer barkën në një pozicion te sigurt.
  2. B) Ndërkohë, uji i ftohtë lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
  3. C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
  4. D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati përmbysi barkën.”

Kështu, maturantët e kanë marrë “Turin” me vete edhe pas provimeve, pasi e ky i fundit u kthye në sensacion në rrjetet sociale. Në media sociale u bënë meme me këtë personazh ndërsa nuk munguan as sugjerime për ministren Shahini që ta përfshijë Turin në provime të tjera. /abcnews.al/