Dita e gjashtë e protestës në mjediset universitare i gjen studentët të ndarë në qëndrime. Një pjesë vijojnë bojkotin, të tjerë kërkojnë nisjen e mësimit ndërkohë që ka edhe nga ata që kanë nisur të plotësojnë dokumentet për të përfituar nga ulja e tarifave të studimit.
Përveç kundër qeverisë studentët tashmë kanë dalë dhe kundër njëri-tjetrit. Në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë një grup studentësh vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar në mjediset universitare ndërsa një grup tjetër ka nisur të mbledhë firma për të filluar mësimin. Ndërkohë hyrjet për në auditore vijojnë të mbahen të mbyllura me karrige.
“Unë kam qenë aty që ditën e parë dhe jam dhunuar. Nuk ka shanse të vijë njeri këtu dhë të bëjë peticion dhe të na kthejnë kundër. Nuk ka shanse të na plotësohen kërkesat as nga FRESHI dhe as nga ndonjë tjetër”, tha një studente.
“Ashtu si ata të tjerër që protestojnë për bojkot, ne jemi pro vijimit të mësimi. Ne jemi studentë rrethesh, vijmë dhe paguajmë qira në Tiranë. Ne na kushton shumë jetesa këtu. Dhe nëse unë humbas vitin?! Unë jam viti i tretë, nësë unë nuk diplomohem këtë vit?! Këtu unë jam si studente dhe unë nuk jam as anëtare e asnjë partie. Unë nuk paguhem për këtë gjë, ashtu sikundër paguhen shumë nga ata që janë brenda”, tha një studente.
“Unë jam në bojkot dhe jam në protestë. Nëse jetojmë në sistemin demokratik atëherë fiton shumica. Nëse jëtojmë në një regjim komunist atëherë lë ta bëjmë ashtu sikundër ka qenë”, tha një student.
Në Universitetin e Mjeksisë duket se ngujimi zgjati pak. Karriget në korridor që një ditë më parë përdoreshin nga studentët i gjetëm bosh. Studentët na tregojnë se pjesa më e madhe e tyre i janë rikthyer mësimit.
“Po bëmë mësim. Jemi të detyruar të shkonim në mësim sepse marrim mungesa”, tha një studente.
Ndërsa në Fakultetin e Ekonomisë një pjesë e studentëve kanë vijuar bojkotin ndërsa te tjerë kanë nisur plotësimin e dokumenteva për të përfituar nga vendimi për përgjysmim të tarifave të studimit.
“Po bëjmë aplikimin për dorëzimin e dokumenteve. Unë personalisht përfitoj bursë ekselence”, tha një studente.
Ndërsa studentët e Histori –Filologjisë paralelisht me plotësimin e dokumentave për përgjysmim të tarifave shprehen kundër nisjes së mësimit ndërsa vijojnë të qëndrojnë në mjediset universitare./abcnews.al