Për protestën kundër tarifës së Rrugës së Kombit, po hetohen edhe veprimet e policisë së Kukësit. Prokuroria e këtij Rrethi Gjyqësor ka nisur një procedim penal për punonjës policie të dyshuar për “veprime arbitrare” gjatë protestës.
Procedimit penal të nisur nga Prokuroria e Kukësit pas protestës në Rrugën e Kombit kundër tarifës 5 euro nuk do t’i shpëtojnë as efektivët e policisë së qytetit verior.
Burime pranë Prokurorisë së Kukësit konfirmuan për ABC Neës se në kuadrin e hetimit të nisur pas protestës që precipitoi në veprime të dhunshme po verifikohen të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e policisë.
Procedimi është regjistruar për dyshimet e ngritura per konsumimin e veprës penale të “veprimeve arbitrare”. Deri në këtë moment, nuk ka emra konkretë, por po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për të vërejtur praninë e veprimeve të paligjshme nga ana e ruajtjes së rendit në protestën e 31 Marsit.
Aktualisht, hetimet janë në fazën e verifkimit të urdhërave nga drejtuesit e policisë dhe kqyrjes së pamjeve filmike mbi aktet fizike të efektivëve të policisë gjatë përplasjes me protestuesit.
Pas ngjarjes, Prokuroria e Kukësit lëshoi urdhër ndalime për 36 protestues, nga të cilët u ekzekutuan vetëm 23. Për arsye sigurie dhe për shkak të mungesës së kapaciteteve në Gjykatën e Kukësit, vlerësimi i masave të sigurisë u zhvillua në Gjykatën e Tiranës.
Togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest në burg” për 11 prej tyre. Dy të ndaluar u lanë në “arrest shtëpie” dhe dhjetë të tjerët u liruan nga paraburgimit, pasi për ta u dha masa e “detyrimit për paraqitje”./abcnews.al