Vijon në ditën e tretë protesta e banorëve të Rinasit për rrugën që është tashmë me një drejtim kalimi. Siç raporton gazetarja Ema Shazivari, banorët marshimin po e bëjnë në formë simbolike për të treguar se çfarë rruge duhet të bëjnë për të çuar fëmijët në shkollë.
Sipas tyre, në kundërshtim me atë që ka njoftuar ARRSH, nuk ka rrugë alternative që zgjidh problematikat. Rrugët që janë sugjeruar si alternative, thonë ata, janë me gropa dhe të amortizuara, por mbi të gjitha nuk të çojnë askund.
“Kjo është rrugë për të kalu me zetor jo me makinë. Kjo të çon me u fal të xhamia. Për asgjë tjetër. U shërben atyre të lagjes dhe atyre të parcelave,” thotë një banor.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje për situatën e tyre, banorët kanë paralajmëruar se mund edhe të bllokojnë fluturimet në Rinas. Protestat nisën pasi ARRSH mori vendimin për të bërë me një sens lëvizje rrugën që të çon në Rinas, (vetëm për të shkuar në aeroport), duke penalizuar kështu dhjetëra banorë dhe bizneset e zonës. /abcnews.al/