Mes të proceduarve për protestën dhe përplasjet që ndodhen më 8 janar në oborrin e Selisë Blu janë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi dhe deputeti demokrat Flamur Noka.
Për rastin në fjalë, policia ka njoftuar se 34 persona janë vënë në pranga dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht. Sipas policisë Bardhi akuzohet për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive, ndërsa Noka për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit: G. B., për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”;
F. N., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se pas protestës së djeshme, akuzat për Policinë e Shtetit kanë ardhur nga të dyja palët. PD-ja zyrtare e akuzoi policinë që nuk reagoi që në momentin e parë kur situata nisi të përshkallëzohej, kurse grupimi i Berishës e akuzuar “policinë e Edi Ramës” se kishte bërë marrëveshje me Bashën për momentin kur do të bëhej ndërhyrja.
Më herët gjatë ditës së sotme, në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë që të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë në protestën e djeshme do të përgjigjen para drejtësisë. Ai kritikoi PD-në për përdorimin e shkopëve dhe fikësve të zjarrit. /abcnews.al/