Ish kryeministri Sali Berisha tha se është i gatshëm të shkojë në prokurori si person që është në dijeni të fakteve, për përplasjet para selisë së PD-së që ndodhën ditën që ai kishte mbledhur protestuesit. “Që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha. “Unë për hir të qëndrimit tim ndaj ligjit do të shkoj pa diskutim dhe do të them fjalët e mia”, shtoi ish-kryeministri në emisionin “Now”.
Berisha deklaroi se gazi lotsjellës nuk mund të përballohej në ambiente të mbyllura, por paralajmëroi se herën tjetër protestuesit do të përgatiten më mirë për të hyrë në ndërtesë.
“Policia e pa që kishte rrezik që protestuesit do merrnin ndërtesën. Edi Rama është i tmerruar. Ai të gjithë sigurinë e tij e ka mbështetur te blindet dhe këtë e aplikoi te selia e PD-së. Fakti që revolucioni paqësor i shkriu blindet, është një tmerr për Edi Ramën. Tani i ka ngelur vetëm gazi, por edhe gazi ka mjetet e veta. Qëllimi maksimal nuk u arrit. Ishte gazi që nuk përballohej në ambientet e brendshme. Pajisjet anti-gaz gjenden me vështirësi, ndaj do bëhen përgatitje më serioze herën tjetër dhe shtëpia do pastrohet nga vrasësit dhe trafikantët”, tha Berisha.
Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-lideri Sali Berisha do të merren në pyetje në lidhje me protestën e 8 janarit. Për protestën e mbajtur përpara selisë blu, policia deri më tani ka shoqëruar 34 persona për incidentet e shkaktuara. Ndërsa penalisht u proceduan Gazment Bardhi dhe Flamur Noka. m.v/Abcnews.al