Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, përpara mbledhjes me krerët e degëve të Tiranës në selinë blu, ka komentuar sërish protestën e 6 dhjetorit, e cila do të mbahet në të njejtën ditë kur pritet të mbahet në Tiranë, Samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.
Data gjashtë do të jetë një protestë paqësore tha kryedemokrati, por shtoi në të njejtën kohë se do të jetë një ditë beteje. Berisha u shpreh i bindur se duke qenë liderë që vijnë nga vende demokratike dhe janë zgjedhur në mënyrë të tillë, ata do ta mirëpresin protestën e shqiptarëve.
Ish-kryeministri paralajmëroi po ashtu se protesta të tjera do të pasojnë.
“Papagajve të qeverisë në Tiranë më 6 dhjetor nuk mblidhen 30 diktatorë, por udhëheqës të vendeve të lira të zgjedhur me votë të lirë, pa patronazhistë, pa banda e blerje vote si Edi Rama. Jam i bindur që kanë mirëkuptim të plotë për një popull që proteston për të njëjtat vlera që i kanë bërë vendet e tyre të begata, qytetarët e tyre të lirë.
Le t’u bien sa të duan sirenave të frikës dhe tmerrit që i kanë kapur qeveritarët sot, por ajo protestë do të rezonojë fuqishëm si zëri i qytetarëve që kërkon vlerat universale, demokratike, të jenë ato që duhet të sundojë sërish në Shqipëri. T’i japim një rëndësi të jashtëzakonshme kësaj proteste. Zëri i popullit opozitar duhet të jetë paralel me zërin e përgjegjësit kryesor, të dramës shqiptare që zhvillohet në detërat e vendeve të tjera në këtë periudhë.
Edi Rama ka shkatërruar dhe shkatërron vlerat europiane…A mund ta lejojë opozita shqiptare pa e paraqitur problematikën e Shqipërisë dhe shqiptarëve? Kurrë? Kam binden se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinion publik europian e botëror, dhe nga liderët e këtyre demokracive. Ata janë të mirëseardhur në Shqipëri, e kemi përshëndetur ardhjen e tyre, por nga ana tjetër përshëndetja jonë s’ka asnjë lidhje me mikpritësin e tyre Edi Rama,” tha Berisha. /abcnews.al/