Këtë të martë zhvillohet protesta e radhës në Bashkinë e Tiranës. Protesta është njoftuar të nisë në orën 10:00. Ndërkohë Policia e Shtetit ka njoftuar të marrë masa për garantimin e sigurisë gjatë këtij tubimi, por gjithashtu njofton se do të ketë një bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve.
Policia e Shtetit njofton se këtë të martë prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Për këtë arsye sugjerohet që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
/abcnews.al/