Me më pak pjesëmarrje, me më shumë dhunë. Protesta më 4 korrik nxori maskat, për tu hedhur në sulm të dhunshëm.
Pasi qëndruan për disa orë para kryeministrisë, protestuesit mësynë në ambientet e komisariatit nr.3, aty ku mbaheshin të arrestuar disa protestues të tjerë të dhunës para parlamentit të enjten.
Një police u lëndua, ndërsa u thyen xhamat dhe dyert nga persona të maskuar, me gurë dhe shkopinj.
Sulmi nuk ishte rastësor, por i planifikuar. Komunikimet në këtë grup ëhatsupp, provojnë se disa protestues kanë komunikuar dhe planifikuar gjithçka më herët, me qëllim për të liruar të arrestuarit në komisariatin nr.3. Madje plani ishte për të mësyrë edhe në burgin 302 në Mine Peza.
Plani nuk rezultoi i suksesshëm për ta, por dëmi u krye.
Provat e dhunës pas sulmit në komisariat, u publikuan nga ministri i brendshëm, Besfort Lamallari i cili shkruan se dhuna filloi për shkak të urrejtjes së nxitur vazhdimisht në rrjetet sociale, dhe për të degjeneruar në një akt që nuk ka vend në Shqipërinë që synon anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Por dhuna u paralajmërua më herët, para se dielli të perëndonte dhe të binte nata me errësirën që solli sulmin. Simboli i Shqipërisë së re më 4 korrik ishte një arkivol në shesh. Ishte i dedikuar për kryeministrin Edi Rama në ditëlindjen e tij të 62.
Nuk është hera e parë, që një arkivol tenton të ngjisë shkallët e kryeministrisë. Ideatori i kësaj, po sot si atëherë është lider opozite, Sali Berisha përdori arkivolin e Azem Hajdarit për të bërë grusht shteti në shtator 1998, vetëm një vit pas konfliktit civil të 97.
“20 vjet më parë arkmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë. Ndërsa mbrëmë arkmorti u rishfaq si rezultati krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi.”
Kryeministri Rama e konsideron këtë akt, si një tjetër shembull se si armiqtë e Shqipërisë janë bërë bashkë kundër qeverisë dhe perëndimit.
“Nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh ndaj shoqërive demokratike (me fatet e lidhura me Bashkimin Europian a me Shtetet e Bashkuara) futen, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive, protesta që lindin si shprehje ndjenjash të sinqerta nga barku i shoqërisë, jo nga konspiracionet ndërkombëtare.”
Në një moment kur qeveria ka nisur të dëgjojë dhe mbajë shënim me vëmendje ccdo kërkesë të protestuesve, sipas Kryeministrit Rama, rezulton se protesta nuk i përket më flamignove, por një shumëllojshmërie forcash brenda dhe jashtë vendit, në kundërshti ekstreme me njëra tjetrën, por që i bashkon misioni kundër Shqipërisë.



