Protesta “historike” e PD/ Gazetarët: Berisha sillet si bajraktar, asnjëherë s’ka mbajtur vendin që i takonte. Avokati: Berisha i ka duart e lyera me gjak

schedule23:57 - 7 Tetor, 2024

schedule 23:57 - 7 Tetor, 2024

TIRANË– Partia Demokratike doli sot në rrugë, por ndoqi besnikërisht të njëjtin skenar; atë të dhunës dhe hedhjes së flakadanëve.

Dhjetë efektivë u lënduan, ndërsa tre prej tyre vijojnë të mbahen nën kontroll të mjekëve dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gazetari Ardit Rada, duke komentuar protestën e opozitës, tha se është e trishtë kur sheh që Berisha edhe pse bën thirrje për mosbindje civile, është i pari ai që i bindet Gjykatës dhe Ligjit dhe tenton të përdorë qytetarët për interesat e tij personale.

“Është e trishtë, që Sali Berisha bën thirrje për mosbindje civile, është i pari që i bindet ligjeve dhe nuk del nga shtëpia, domethënë i bindet Gjykatës”, tha ai.

Gazetari Fatos Mahmutaj, duke komentuar hedhjen e molotovëve në selinë rozë, u shpreh se Sali Berisha e ka patur ëndërr gjithmonë shkatërrimin e PS-së. Sipas tij, Berisha ka treguar përherë sjellje prej bajraktari dhe asnjëherë sjellje prej funksionari shtetëror.

“Djegia e selisë së PS, kjo ka qenë gjithmonë ëndërr e Berishës; Pra, shkatërrimin e PS. Ai s’e ka kuptuar kurrë se edhe kur protestohet, protestohet me kauza kombëtare dhe jo të protestohet për ata që kanë një mendim të kundërt. Armiku i Berishës është ai që mendon kundër, i bie shkurt, dhe këtë e ka bërë që nga viti 1991 dhe deri më sot dhe nuk është çudi. Të qëllosh ambulancën, ndihmën e shpejtë, e cila ishte e predispozuar për policët e plagosur dhe qytetarët, është një nga ato gjëra, që Berisha i bën, sepse aq e ka nivelin dhe diapazonin e tij dhe deri aty shkon dhe nuk pritet më tepër se kaq nga ai. Berisha sillet si bajraktar, asnjëherë nuk ka mbajtur vendin që i takonte. Berisha gjithmonë ka dashur gjak. Berisha është gati të bëjë gjithçka për karrigen e tij”, tha ai.

Më tej, avokati Romeo Kara i ftuar në “Ora e fundit” i bëri thirrje SPAK të reagojë, pasi sipas tij, Berisha kërkon të destabilizojë Shqipërinë.

“Zgjidhja e tij  e fundit për t’iu shmangur drejtësisë. Berisha dhe familja e tij janë njerëz, që  tashmë kanë konsumuar një korrupsion masiv dhe duan të shmanget drejtësisë, mundësisht duan destabilizim të vendit, luftë civile mundësisht jo mosbindje civile. Berisha ka lënë pas viktima pafund, më shumë se Enver Hoxha. Të gjithë njerëzit që kanë kaluar me skaf drejt Italisë, janë viktima të tij, e gjithë 1997, janë viktima të tij dhe Gërdeci. Berisha i ka duart e lyera me gjak. Ata janë të kriminalizuar. Ai e ka djegur dhe do ta djegë Shqipërinë. SPAK duhet të reagojë. Këta kanë dalë që mos t’u dënohet agai i tyre, këta duan pushtet në tavolinë.”. theksoi ai. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!