Protesta e studentëve, Shahini: Në rrugë nuk mundësohet diskutimi

schedule21:32 - 6 Dhjetor, 2018

schedule 21:32 - 6 Dhjetor, 2018

Ministria e Arsimit është e gatshme për dialog me studentët që po protestojnë për përgjysmimin e tarifave. Zv/ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ishte e ftuar në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ku tha se institucioni që drejton Lindita Nikolla është e gatshme të takohet kudo me studentët për të diskutuar për kushtet që kanë.

“Jemi të gatshëm të diskutojmë për pikat e tjera siç kanë kërkuar studentët. Jemi të brengosur që nuk janë në mësim, por në rrugë, por është e drejta e tyre që të protestojnë”, u shpreh Shahini.

Ajo u pyet nëse Ministria e Arsimit ka ndonjë mënyrë alternative për t’u takuar me protestuesit. Për Shahinin mënyra e vetme është diskutimi, i cili nuk mund të realizohet në rrugë siç e kanë kërkuar studentët.

“Kemi të vetmin plan. Ne po i presim në momentin e parë që janë gati të vijojnë me diskutimin. Deri më tani komunikimin e kemi pasur me anë të letrave që ata kanë protokolluar në ministri. Ne do jemi në ministri si dje dhe sot dhe i presim që të fillojmë diskutimet”.

“Absolutisht nuk është vetëm ideja që të vijnë në ministri. Ne mund të shkojmë në universitete. Ideja që të vijmë në rrugë siç e kanë kërkuar e pamundëson diskutimin”, u shpreh më tej zv/ministrja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!