Protesta e opozitës, Shehi: Shkoj si qytetar, jo për të hipur në tribunë

schedule20:12 - 11 Nëntor, 2022

schedule 20:12 - 11 Nëntor, 2022

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka folur për protestën që opozita do të mbajë nesër, duke konfirmuar edhe njëherë pjesëmarrjen.

I ftuar në “Radar Informativ” me gazetaren Juli Xhokaxhi, Shehi tha se nuk është kundër faktit që kryedemokrati Sali berisha e bëri publikisht ftesën për bashkim dhe shtoi se me formulë tjeëtr nuk do të shkonte.

“E ka bërë mirë që e ka bërë kështu. Po ta kishte bërë me formulë tjetër unë nuk do shkoja. Më e mira është kështu. Thërrit qytetarët, qytetarët përgjigjen. Unë shkoj si qytetar, jo për të hipur në tribunë. Nuk ndajmë shumë gjëra, por ndajmë një gjë, që ky njeri që po e drejton Shqipërinë po e dhunon, po e shkatërron Shqipërinë. Unë besoj që mos një ditë, një ditë do ia dalim sepse ka shkuar aty ku s’mban më”, tha Shehi.

I pyetur nëse protesta do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme në rast se ka trazira, Shehi tha se diçka e tillë është vetëm në mendjen e qeverisë, teksa vuri në dukje edhe sjelljen e përmbajtur të opozitës gjatë këtyre viteve.

“Unë them që s’ka pse prodhohen trazira. Trazira ka vetëm në mendjen e kësaj qeverie. Çfarë protestash të forta ka pasur në këto 10 vite? Opozita e këtyre 10 viteve ka qenë më e kulturuara e Europës. Ai zgjidh protesta gjithë problematikat? Jo, por është një shans për të thënë se ato njerëz që dalin atje nuk dalin se duan Ilir Metën dhe Berishën, dalin se nuk duan Edi Ramën”, tha deputeti.

Shehi nuk komentoi strategjinë e protestës, duke thënë se do të shkojë si qytetar dhe shtoi se më e rëndësishme se kjo është qëllimi që protesta ka.

“Nuk marr përsipër gjëra që nuk janë të miat. Unë shkoj si qytetar. Nuk është rëndësia si do të bëhet, protesta ka një qëllim: të tregojë që mijëra qytetarët janë kundër kësaj qeverie dhe të tregojë që ka shpresë”, u shpreh Shehi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!