Protesta e opozitës në mediat e huaja

schedule14:48 - 14 Prill, 2019

schedule 14:48 - 14 Prill, 2019

Protesta e opozitës në Tiranë e ka zënë një vend në edicionet online të mediave ndërkombëtare. Përveç atyre europiane, mes të cilave spikasin ato italiane, protesta është pasqyruar në mediat amerikane si “Washington Post” e “New York Times”, si dhe në disa portale kanadeze e australiane.

Edhe këtë herë, protesta e opozitës ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare për shkak të përmasave dhe dinamikës. Nga ato amerikane, raportuesja kryesore ishte “Associated Press”, shkrimi i të cilës u përcoll edhe në media më prestigjoze si “Washington Post” dhe “New York Times”.

Në shkrim thuhet se, manifestuesit i bënë thirrje qeverisë që të japë dorëheqjen dhe për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjithashtu, shkrimi përmend edhe faktin se disa protestues tentuan të bastisin parlamentin, por policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji. I njëjti artikull u transmetua në edicionet online të kanadezes “Vancouver Sun” dhe madje të gazetës australiane “The Herald Sun”.

“Demonstruesit qëndruan më shumë se dy orë përballë parlamentit, duke gjuajtur objekte të forta dhe shashka. Ndërsa një makine të parkuar iu vu zjarri”, thotë shkrimi.

Mediat në fjalë citojnë ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj që tha se 5 agjentë policie mbetën të plagosur, ndërsa disa protestues dhe gazetarë mbetën të asfiksuar nga gazi lotësjellës.

Në artikull thuhet gjithashtu se akuzat e opozitës ndaj qeverisë mbeten të njëjtat; korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Në Europë vëmendje manifestimit i kanë kushtuar kryesisht mediat italiane.

“Rainews” e fillon raportimin e tij duke saktësuar se 5 agjentë dhe 15 manifestues mbetën të plagosur, kryesisht nga përdorimi i gazit lotësjellës. Rai citon kryetarin e opozitës Lulzim Basha të ketë thënë se, dorëheqja e kryeministrit socialist Edi Rama është një kusht i panegociueshëm, pasi sipas tij, populli ka dekretuar fundin e tij.

Më bombastik ka qenë titulli i portalin “Open online”, që manifestimeve i ka vënë titullin “Pranverë ballkanase; sërish manifestime kundër qeverisë në Tiranë dhe Beograd”.

“Në Tiranë protestat u mbajtën kundër kryeministrit Edi Rama, i akuzuar për korrupsion. Ndërsa në Beograd kundër presidentit Vuçiç dhe sistemit të tij autoritar”, shkruan portali./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!