Protesta e opozitës, arrestohen 15 persona

schedule11:14 - 17 Shkurt, 2019

schedule 11:14 - 17 Shkurt, 2019

Pas mbylljes së protestës opozitare të së shtunës, Policia e Shtetit u angazhua në identifikimin dhe ndalimin e protestuesve që u përfshinë në akte dhune. Zyrtarisht u konfirmua arrestimi i 15 personave në qytete të ndryshme të vendit.

Prangosjet u realizuan në mbrëmjen e vonë të së shtunës dhe mëngjesin e së dielës në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Elbasan, Cerrik, Përrenjas e Divjakë. Ata i përkasin moshave nga 21 deri në 76 vjeç. Mes personave të arrestuar është edhe Florenc Hoxha, ish-drejtues i Policisë Bashkiake të kryeqytetit.

Ata dyshohen se në role të ndryshme gjatë protestës kanë konsumuar veprat penale të “kundështimit të punonjësit të policisë”, “goditje për shkak të detyrës” dhe “shkatërrim të pronës”.

Për të njëjtat dyshime policia ka shpallur në kërkim shtatë persona dhe ka procedur në gjendje të lirë pesë të tjerë. Në total, të shoqëruarit nga policia pas protestës në mbarë vendin ishin më shumë se 40 vetë.

Policia tha se personat e procedurar u identifikuan pas analizimit të pamjeve filmike, raport shërbimee dhe provave të tjera të mbledhura gjatë protestës, ku u konstatuan edhe akte dhune.

Referuar filmimeve dhe fotografime të kryera nga policia gjatë protestës së 16 Shkurtit rezulton se të ndaluarit kanë çarë kordonin e policisë, duke kundështuar punonjësit e rendit, si edhe kanë goditur dhe thyer me mjete të forta dyert, xhamat dhe vepra arti pranë hyrjes së godinës së kryeministrisë.

Në 72 orët në vijim, personat e arrestuar pritet të paraqiten në Gjykatën e Tiranës, ku do të kërkohet edhe lloji i masës së sigurisë në të cilën do të qëndrojnë gjatë hetimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!