Banorët e Unazës së Re në Tiranë kanë vazhduar protestat e tyre edhe përgjatë mbrëmjes së të martës. Ata kërkojnë anulimin e projektit të unazës së madhe dhe dëmshpërblim të njehsuar në vlerën e tregut.
Prej afro 10 ditësh protesta e tyre është zhvendosur në trotuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal që ndëshkon me deri në tre vjet burg këdo që bllokon akset rrugorë kombëtare. Prej po kaq ditësh forcat e rendit kanë vendosur dy kordonë policorë për të mos lejuar zhvillimin e protestës në rrugën “Teodor Keko” duke e bërë atë të kalueshme për automjetet.
Banorët e Unazës së re janë mbështetur edhe këtë të martë nga ish deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu. Ata kanë përsëritur thirrjen për të liruar tre bashkëqytetarët e tyre për të cilët është dhënë masa “Arrest me burg”./ABC News Albania