Protesta e banorëve të “5 Majit”, thirrja prekëse e vogëlushit për Ramën: Mos na i prish shtëpitë

schedule10:25 - 17 Shkurt, 2022

schedule 10:25 - 17 Shkurt, 2022

Para seancës së sotme parlamentare banorët e “5 Majit” janë mbledhur sërish në protestë para Kuvendit.  Ata thonë se këto projekte kanë një barrë të madhe për banorët e kësaj zone që prej ditësh kanë lënë çdo punë për të kërkuar të drejtën e tyre.

“Kemi shumë halle dhe problem. Nuk është kollaj të dalim dhe të bërtasim në mes të rrugës. Është një e drejtë ligjore e jona për të na mbrojtur shtëpinë tonë. Nuk dua të zgjatem shumë. Shihni hallet dhe problemet e këtyre njerëzve që po i nxjerrin në rrugë të madhe.

 Projektet e mëdha që thoni ju kanë një barrë të madhe për këta banorë. Boll me arrogancën dhe injorimin që na keni bërë prej kohësh. Ju lutem ejani dhe uluni këmbëkryq me ne dhe na jepni të drejtë”, tha ai.

Në protestë këtë herë kishte edhe fëmijë. Njëri prej tyre iu drejtua kryeministrit Edi Rama që të mos i prishtë shtëpitë. “Të mos na prishë shtëpitë. Nuk kemi ardhur kot, s’kemi shtëpi tjetër vetëm këtë. S’kemi ardhur kot këtu”, tha ai. /abcnews.al