Situata politike në kampin e Partisë Demokratike këtë të enjte është komentuar sërish nga kreu i shtetit Ilir Meta.
Meta i është përgjigjur gazetarëve në lidhje me akuzat që i janë bërë nga kryedemokrati, Lulzim Basha që të mos përzihet në këtë çështje.
Kreu i shtetit është shprehur se si president nuk mund të qëndrojë në heshtje për dhunën që është zhvilluar si ndaj thyerjes së dyerve dhe dritareve ashtu edhe më keq akoma ndaj qytetarëve.
Meta është shprehur se të dy palët duhet të reflektojnë dhe të ballafaqohen me njëri tjetrin, pasi dhuna fizike nuk është zgjidhje.
“Si presidenti i Republikës 8 janari nuk është një ngjarje e izoluar por një moment tragjik i një procesi politik degradues, që po zhvillohet prej muajsh dhe vitesh në sy të shqiptarëve që thelb është mungesa e ballafaqimit me votë. Jemi në kushtet kur demokracia shqiptare prej vitesh janë minuar nga kapja e të gjithë instrumenteve shtetërore, dhe kur të gjithë duhet të vendoseshin për llogari të ligjit sistemet duhet që të jenë transparentë. Nuk dua të bëhem palë, dhe asnjëherë nuk kam synuar të bëhem i tillë për këtë konflikt, por si president jam i shqetësuar për konfliktin e panevojshëm në kampin më të madh opozitar që duhet që të zgjidhet me votë të lirë. përdorimi i forcës si ndaj dyerve dhe dritareve, aq më keq ndaj qytetarëve është i papranueshëm.
Akuzat për infiltrimin e personave me precedentë kriminale brenda selisë është alarmante dhe e papranueshme. Kur të gjithë e kanë të qartë se përdorimi i dhunës nuk është dhe nuk duhet të jetë mekanizmi për marrjen e pushtetit, aq i dënueshëm është dhe përdorimi i dhunës për mbajtjen e pushtetit dhe godinës duke shmangur ballafaqimin politik të bazuar në kushtetutën e vendit. Mjetet fizike dhe policeske nuk janë zgjidhje, por vetëm ballafaqimi dhe vota e lirë.
Zhvillimet e 8 janarit solli dhe efekte pozitive që solli dorëheqjen e rojës së Selisë për të mos qenë pjesë e dhunës. Reagimin zyrtar e kam bërë publik më 8 janar”, është shprehur Meta./abcnews.al