20 nga 50 të arrestuarit e protestës së 11 Majit të opozitës janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Për 11 persona, gjykata caktoi masën arrest shtëpie e për 19 të tjerë, detyrim paraqitje. Dhënia e vendimit u shoqërua me tensione si brenda sallës së gjyqit, ashtu edhe jashtë godinës së gjykatës.
Me tensione u prit vendimi i gjyqtarit Arben Mickaj, për 50 të arrestuarit e protestës së opozitës që u mbajt më 11 maj. Gjykata vendosi arrest me burg për 20 përdoruesit e bombave molotov; 11 persona u lanë më masën arrest shtëpie dhe 19 të tjerë me detyrim paraqitje. Mbi ta rëndojnë veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësise publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Jashtë dyerve të gjykatës përveç ish-deputetëve të Partisë Demokratike kishte edhe një numë familjarësh që prisnin vendimin për të afërmit e tyre.
Numri i personave të arrestuar për protestën e 11 majt është më i larti deri tani, pasi konsiderohet si më e dhunshmja, për shkak të përdorimit të bombave molotov dhe e një sasie të madhe lëndësh plasëse. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar arrest me burg për 41 persona e 9 të tjerë, masën e detyrim paraqitjes. /ABC News Albania 24/7