Protesta, Basha: Të qëndrojmë dhe ta sprapsim të keqen

schedule18:51 - 13 Tetor, 2019

schedule 18:51 - 13 Tetor, 2019

Në protestën e banorëve të Unazës së Re këtë të diel ishte edhe kreu i selisë blu, Lulzim Basha. Në fjalën e tij, Basha tha se Rama ka urdhëruar burgosjen e baballarëve që mbrojtën banesat e tyre, ndërsa lë të lirë, qeveritarët të cilët sipas tij janë kapur në shkelje të ligjit.

“Edi Rama ka urdhëruar burgosjen e baballarëve pasi mbrojtën shtëpitë e tyre. Në një vend ku kriminelët dhe hajdutët janë atë lirë dhe baballarët janë në burg ky vend nuk e ka vendin në Europë. Sonte t’ia përçojmë një mesazh të qartë se pa zgjidhur këtë problem jetik nuk shkohet në Europë. Nuk shkohet në Europë me një gënjeshtar kronik. Nuk shkohet në Europë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shqipëria si Europa është dëshira e çdo shqiptari. Shqipëria si Europa do të thotë hajdutët në burg, do të thotë dëmshpërblim për të gjithë, do të thotë mundësi për çdo vogëlush për shkollim. Vetëm kështu do e fitojmë këtë betejë. Mos të presim që e keqja të vijë dhe t’u marri të gjithëve nga shtëpia. Të luftojmë këtu, të qëndrojmë këtu dhe ta sprapsim të keqen. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të sigurojë mirëqenie, punësim, drejtësi. Nuk ka pse të jetë kështu. E dimë shumë mirë se shkaktari i aferës së Unazës së Re është shkaktari i krizës, shkaktari i emigracionit. Është ai që po i mbyll dyert Shqipërisë”, tha Basha.

Basha tha se kjo që po bën opozita nuk është betejë për pushtet, por betejë për t’i dhënë fund këtij regjimi, i cili ka shkatërruar bazën e bashkëjetesës demokratike sipas tij.

Ndër të tjera, kreu i selisë blu tha se banorët kanë kërkuar që të protestohet dhe kjo është e drejtë e tyre.

“Dua t’i them që shërbimet që i bën hajdutit merr të paguara 10-fish. Report TV paguhet me paratë që iu vidhen këtyre qytetarëve. Ka një kërkesë të banorëve për protestë. Në të drejtën kushtetuese, ka një hierarki vlerash norma dhe ligjesh. E drejta protestës është më e shenjtë se e  drejta e Edi Ramës për të vjedhur me Karlo Bollinon. Nuk ka kod penal që të ndalojë protestën. Le ta marrin vesh të gjithë. Në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës është Edi Rama, janë ata që vjedhin tek unaza e re dhe i ndajnë paratë me pronarë të korruptuar mediash si Karlo Bollino i Report Tv dhe media të tjera të korruptuar . Respekt për ty, respekt për çdo gazetar. Me ndryshimet që do vijnë do jeni të lirë jo vetëm të kryeni punën, por të vazhdoni ta bëni me rroga të siguruar dhe qeveria e ardhshme do t’ju respektojë.

Nuk ka asnjë Kod të ri Penal. Asnjë vendim që merret nga ky parlament ilegjitim nuk ka legjitimitet. Ky është qëndrimi i opozitës. Po të kishim Gjykatës Kushtetuese do të hidhte poshtë çdo vendim të këtij parlamenti të cunguar. Të jeni fare të qartë, ju dhe çdo media qeveritare siç është Top Channel që hierarkia e vlerave,normave dhe parimeve kurrë nuk mund të ndalojë të drejtën e protestës. E drejta e protestës është e shenjtë. Banorët kanë lajmëruar në mënyrë zyrtare policinë.  Opozita është në sheshe nuk ka ikur kurrë dhe është e vendosur ta çojë deri në fund betejën e saj për liri dhe demokraci”, tha Basha.

/abcnews.al