Propozohet të hiqet ora policore, lehtësira për të vaksinuarit e zgjatje e orarit të gastronomisë

schedule16:26 - 8 Shtator, 2021

schedule 16:26 - 8 Shtator, 2021

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot tha se nuk do të ketë lehtësim të masave anti-COVID që janë në fuqi. Përkundër kësaj, të dëmtuarit nga këto masa, do t’i kërkojnë Vitisë t’i lehtësojë ato.

Lehtësim të shërbimeve për qytetarët e vaksinuar, qasje në hapësirat brenda lokaleve dhe restoranteve dhe lejim të qarkullimit në kohën kur kufizohet liria e lëvizjes, do t’i kërkojë sot Arben Vitisë Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi. Ibrahimi deklaroi se lehtësimet për qytetarët e vaksinuar do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal.

Ai ka treguar se përfaqësuesit e AKK-së do të jenë pjesë e takimit të Komitetit anti-Covid-19, që do të mbahet sot, ku do të diskutohet për gjendjen masat anti-Covid.

“Sot në orën 17:00 e kemi takimin e Komitetit anti-Covid. Ne prej komunave mendojmë se për personat që janë vaksinuar të ketë lehtësira në krahasim me ata që nuk e kanë marrë vaksinën. Të vaksinuarit të kenë qasje brenda në restorante, ndërkaq gastronomët ta marrin përgjegjësinë e kontrollimit nëse klientët e posedojnë dëshminë e vaksinimit. Po ashtu këto lehtësime të jenë relevante edhe për roën policore.  Këto lehtësime do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, ka deklaruar Ibrahimi.

Po ashtu, Ibrahimi deklaroi se AKK do të kërkojë të hapen më shumë qendra të vaksinimit, pasi ka mjaftueshëm vaksina.

Ai tha se në takim do të ngritët edhe çështja e zëvendësimit të mësimdhënëseve shtatzëna dhe personelit arsimor me sëmundje kronike.

“Do të ngritet edhe çështja e zëvendësimit të mësimdhënëseve shtatzëna dhe personeli arsimor që ka sëmundje kronike, të bëhet një listë rezervë që ata të zëvendësohen. Duhet të merret një vendim që sikurse i ka angazhuar inspektorët dhe personelin shëndetësor, të gjendet mënyra të ketë angazhim të personelit arsimor, që procesi mësimor të fillojë në shkolla më 13 shtator”, deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi tha se pas takimit të Komitetit anti Covid-19, AKK do të kërkojë që ministri Vitia të takohet edhe me kryetarët e komunave.

Ndërkaq edhe Shoqata e Gastronomëve ka kërkesa rreth lehtësimit të disa prej masave anti-Covid.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kollokoqi, ka deklaruar për Gazetën Express se gastronomët kërkojnë që të lejohet puna brenda lokaleve.

“Ju kemi shkruar për takim, por ende nuk na e kanë konfirmuar. Ne po kërkojmë të na lejohet të punojmë brenda, pasi tash edhe ka filluar të ftohet koha”, ka deklaruar Kllokoqi.

Përveç kësaj, Kllokoqi tha se Shoqata e Gastronomëve kërkon edhe subvencionim nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Financave.

“Kërkojmë subvencionim ekonomik. Të mbulohen pagat për gjysmën e punëtorëve dhe mbulimi i qirasë për 50 për qind”, ka deklaruar Kllokoqi.

Ndërkaq Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës po kërkon që bizneset hoteliere dhe ato të gastronomisë të punojnë deri në orën 23:00./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!