Propozimi i rektorit: Studentët e mjekësisë praktikë në spitalet rajonale

schedule20:53 - 27 Janar, 2021

schedule 20:53 - 27 Janar, 2021

Nga Ema Shazivari

Praktikë në spitalet rajonale për studentët e mjekësisë. Kjo është mundësia e vetme që ofrojnë drejtuesit këtij universiteti ndaj të rinjve, të cilët prej një viti e zhvillojnë mësimin online. Një paketë e posaçme propozimesh i është dërguar Komitetit Teknik të Ekspertëve. Rektori Arben Gjata, thotë se grupimi i studenteve në një spital të posacem, frenon përhapjen e  covid.

“Mungesa e praktikave është një handikap. Hyrja e studentëve në mësimet praktike, qoftë nëpër spital, mund të bëhet vetëm me vendimet përkatëse, që merr komiteti teknik i ekspertëve. Ne i kemi propozuar shumë alternativa, komitetit, në mënyrë që ta zgjidhim këtë ngërç.

Nuk kanë marr akoma vendim. Ne i kemi propozuar mënyrën e zhvillimit të mësimit me grupe të vogla, në QSUT dhe spitalet universitare, deri te një pjesë e studentëve praktikat të mund ti zhvillojnë në rrethet përkatëse ku banojnë” tha ai.

Konviktet nuk do te hapen. Ekspertët që menaxhojnë pandeminë e shohin këtë si vatër infektimi.  “Meraku kryesor i komitetit teknik të ekspertëve, nuk është prania e studentëve në auditor, pasi ne e kemi bërë këtë dhe me grupe të vogla studentësh, dhe kemi treguar që i kemi mundësitë reale që të shtangimin infektimin me covid.

Shqetësimi i tyre është banimi nëpër konvikte. Banimi në konvikte shërben si vektor i përhapjes së covid jo vetëm mes studentëve, por kudo. Kjo është arsyeja pse komiteti ka refuzuar hapjen e universiteteve” tha ai.

Sezoni i provimeve për mjekësinë është vendosur në maj, periudhë në të cilën është parashikuar edhe mundësia për hapjen e universiteteve.  / db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!