Propozimi i PD, Basha: Të ashpërsohen dënimet për krimet zgjedhore, 22 vite burg për politikanët

schedule13:40 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 13:40 - 6 Dhjetor, 2021

PD propozon ashpërsimin e dënimeve për krimet zgjedhore, bazuar në ligjin Italian. Përmes një reagimi në rrjete sociale kreu i PD Lulzim Basha ka publikuar propozimet për ndryshime në Kodin Penal, ku kërkohet edhe ashpërsimi i dënimin në përputhje me atë të Italisë fqinje. Lideri i PD shkruan se politikanët që zgjidhen me votat e kriminelëve të dënohen me 22 vjet dhe t’u ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike.

Krahas vettingut në politikë, me qëllim dhënien fund njëherë e mirë lidhjeve të botës së krimit me politikën, PD do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, në përputhje me Kodin Penal italian (n. 416 ter), duke ashpërsuar dënimet për këdo që kryen krime zgjedhore.

  1. Kushdo që pranon drejtëpërdrejtë apo nëpërmjet ndërmjetësve, premtimin për të fituar vota nga elementë të krimit të organizuar, në shkëmbim të parave apo favoreve të tjera, dënohet me 15 vite burg.
  2. I njëjti dënim parashikohet edhe për elementët e krimit të organizuar që kanë dhënë premtime të tilla, apo këdo tjetër që rezulton i përfshirë.
  3. Nëse politikani, i përfshirë në një skemë të tillë, zgjidhet, ai dënohet me 22 vite burg.
  4. Politikanit dhe kujtdo që përfshihet në veprimtari të tilla i ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike.

Qeverisja dhe fatet e shqiptarëve nuk mund të diktohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, shkruan Basha.

Ky propozim i PD vjen krahas vetingut të politikave, sipas Bashës me qëllim për t’i dhënë fund lidhjeve të botës së krimit me politikën. Vetingu i politikanëve është një propozim i hershëm i opozitës, që në vitin 2018. PD ka dorëzuar në Kuvend tre propozime për amendimin e Kushtetutës; zhbërjen e ndryshimeve të Kushtetutës për sistemin zgjedhor të miratura nga mazhoranca vjet në korrik, kalimin e politikanëve në veting dhe reformë të re territoriale. Ky propozim erdhi si  kundërpërgjigje ndaj kërkesës që Partia Socialiste dorëzoi në Kuvend për zgjatjen e afatit kushtetues të institucioneve të vetingut. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!