Ish-zëvendës kryeministri i Kosovës, Haki Abazi në një intervistë në “Special Report” në ABC foli për takimin e zhvilluar ditën e sotme, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Ai u shpreh se Kurti dhe Vuçiç janë pajtuar në parim për asosacionin, pas takimit të zhvilluar në Bruksel.
“Serbia ka detyrë të transformojë strukturën e vet politike, por tek ne Kurti ka ardhur në pushtet me kauzën kundër asosacionit. Ky është hapi i dytë pas asaj që është thënë se nuk do të ketë negociata dhe se nuk do të bisedojnë kurrë me Serbinë. Këtu pika vetëvrasëse politike për Kurtin, pasi mendon që pranimi i marrëveshjes në Bruksel dhe plani i zbatimit në Ohër do t’i mundësojë të blejë kohë duke e paraqitur veten si aktor politik konstruktiv ndërsa në anën tjetër do të sabotojë në çfarëdo forme zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, u shpreh ai.
Më tej në këtë intervistë theksoi se nga kjo marrëveshje, Presidenti Vuçiç është ai që nuk humbet asgjë, ndërsa reagoi me kritika ndaj kryeministrit Kurti, pasi ritheksoi edhe njëherë se ka tradhtuar premtimin me të cilin erdhi në pushtet se nuk do të pranonte asnjë formë asosacioni.
“Një moment fatkeqësie për Kosovën, në të dyja anët edhe sikur ta pranojë plotësisht, edhe sikur të vendosë që pas një trysnie publiku të krijojë raporte të tentimit për ta rrëzuar Parlamentin sepse mendoj aty është duke i shkuar mendja. Me idenë që për disa seanca me radhë ka urdhëruar deputetët të mos paraqiten në asnjë debat dhe për të shpëtuar lëkurën e tij do të mund të tentojë që të shpërbëjë parlamentin. Por qytetarët e Kosovës e mbajnë mend premtimin me të cilin Kurti ka ardhur në pushtet, dhe në çdo moment ka tradhtuar premtimin se nuk do të pranojë asnjë formë të asosacionit. Ai do të tentojë të zmbrapse llojin e kritikës që mund të ndodhë brenda Parlamentit dhe këtë ta kthejë në viktimizim. Altoparlantët e tij kanë filluar në Kosovë duke thënë që pranimi i asosacionit është e vetmja mënyrë për të shmangur luftën. Po ashtu nëpërmjet zgjedhjeve të bëjë riparaqitjen si faktor i vetëm politik në Kosovë meqë opozita nuk po arrin dot të mbledhë forcat për një reformë të vërtetë. Është shumë e rëndësishme për aktorët ndërkombëtare që Ballkani të mos kthehet në fushë betejë kur Rusia apo aktorë të tjerë të krijojnë një front të ri. Por kjo nuk duhet të bëhet në kurrizin e shqiptarëve dhe të jetë kosto për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera ai./abcnews.al/