Gjykata Administrative e Apelit vlerësoi të vlefshme padinë e Rektorit të Universiteti të Tiranës i cili kundërshton vendimin e Këshillit të Ministrave që i jep në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha toke të Kopshtit Botanik.
Ndërkohë një trupë prej pesë anëtarësh do të vendosë nëse kjo padi do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Apelit, apo do t’i kalojë për shtyrtim një tjetër shkalle të gjyqësorit.
Vendimin e gjykatës, pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës po e prisnin në hyrje të saj.
Në formë proteste kundër vendimit të qeverisë që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha të Kopshtit Botanik, studentë e pedagogë marshuan nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës deri tek Gjykata Administrative e Apelit.
Pedagogët thonë se qeveria vendosi t’i kalojë bashkisë në pronësi Kopshtin Botanik pa transparencë dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.
Ata shprehen se Kopshti Botanik duhet të mbetet në funksion të procesit mësimor dhe tregojnë se do ta mbrojnë me çdo formë./abcnews.al