Prokuroria spanjolle ngre akuza për rebelim ndaj Puiçdemonit

schedule15:27 - 30 Tetor, 2017

schedule 15:27 - 30 Tetor, 2017

Prokuroria spanjolle ka ngritur zyrtarisht akuza për rebelim dhe shkelje të rendit kushtetues ndaj presidentit të shkarkuar të Katalonjës, Puiçdemon. Megjithatë, ndryshe nga ç’pritej, nuk është kërkuar arrestimi i tij.

Prokuroria e përgjithshme spanjolle ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj presidentit të shkarkuar të Katalonjës, Karles Puçdemon dhe zyrtarëve më të lartë të rajonit. Kryeprokurori José Manuel Maza tha se Puçdemon akuzohet si organizator rebelimi, prishje të rendit kushtetues dhe përvetësim fondesh shtetërore. Por pavarësisht akuzave të rënda, prokuroria spanjolle nuk kërkoi masë sigurie për Puçdemonin.
Do të jenë gjykatat në Madrid që do të vendosin për procedimin penal të ish-kreut të rajonit të Katalonjës. E nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, forcat speciale të policisë spanjolle do të kryejnë bastisjen e zyrave dhe të banesës së Puçdemonit në Barcelonë. Ligji spanjoll parashikon që për të tilla akuza, fajtorët dënohen deri 30 vite burg.
Akuza për bashkëpunim më Puçdemonin janë ngritur edhe ndaj ministrave të qeverisë dhe kreut të parlamentit rajonal të Katalonjës. Ata akuzohen se nuk vepruan për të penguar nismën e presidentit për të shpallur pavarësinë e rajonit nga Spanja. Kryeministri konservator spanjoll Mariano Rahoi vendosi të shkarkojë të gjithë drejtuesit rajonalë të Katalonjës, duke aktivizuar nenin 155 të kushtetutës së vendit, pasi të premten parlamenti rajonal votoi në favor të shpalljes së pavarësisë.
Më 1 tetor, katalanasit votuan masivisht në favor të pavarësisë nga Spanja. Një proces elektoral i shpallur i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese në Madrid. Por Puiçdemon vendosi të shtyjë shpalljen e pavarësisë për ti hapur rrugë zgjidhjes së krizës me negociata, të cilat u refuzuan nga Madridi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!