Prokuroria spanjolle kërkon burgosjen e të gjithë qeverisë së ish presidentit katalanas Puigdemont dhe të vetë ish liderit të rajonit. Për këtë të fundit dhe katër ministrat që po qëndrojnë me të në Bruksel u kërkua një mandat arresti europian
Prokuroria e Audiencës kombëtare të Madridit, Gjykata e lartë spanjolle i ka kërkuar gjykatëses Carmen Lamela që të lëshojë mandate arresti europiane për ish presidentin katalanas Puigdemont dhe për katër ministra që ndodhen në bruksel. Gjithashtu është kërkuar dhe burgosja e të gjithë anëtarëve të qeverisë të cilët akuzohen për rebelim. I vetmi përjashtim është ai i ish ministrit Santi Villa, i cili dha dorëheqjen një ditë para shpalljes së pavarësisë
Gjithashtu u kërkua paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht për tetë nga nëntë ministra që u paraqitën në Madrid për tu marrë në pyetje në kuadër të akuzës së rebelimit dhe shpërdorimit të fondeve publike.
Ndërkohë avokati i liderit katalanas bëri të ditur se Puigdemont ka ndërmend të bashkëpunojë me autoritetet spanjolle dhe belge pavarësisht se nuk u paraqit para gjykatësve në Madrid. Avokati i tij theksoi se klima nuk ishte e mirë, ndaj ai duhet të qëndrojë larg dhe nëse do ia kërkojnë do të bashkëpunojë me drejtësinë e të dy vendeve.
Për Forcadell, presidenti i parlamentit katalanas të shpërbërë, dhe pesë deputetë të tjerë pro pavarësisë, të gjithë anëtarët e presidencës, prokuroria spanjolle kërkoi që të vendosen në monitorimin e policisë.
Gjashtë deputetë u paraqitën në gjykatën e lartë spanjolle por nuk u morën në pyetje. Dhe ata akuzohen për rebelim duke rrezikuar deri në 30 vjet burg. Seanca e rradhës për marrjen e tyre në pyetje është ajo e 9 nëntorit.
Ndërkohë mijëra katalanas mbajtën një minutë heshtje duke mbështetur apelin e organizatave të shoqërisë civile pro pavarësisë, në shenjë proteste kundër atij që ata e cilësojnë si proces politik ndaj qeverisë katalanase. Me qindra të tjerë u mblodhën para presidencës duke hedhur parulla “Puigdemont është presidenti ynë” dhe duke kënduar himnin e Els Segadors.