Prokuroria s’ka prova të reja, dalin nga qelia të dyshuarit për ekzekutimin e Hekuran Billës

schedule14:39 - 27 Shtator, 2021

schedule 14:39 - 27 Shtator, 2021

Gjykata e Tiranës ka nxjerrë nga qelia Viktor Markun dhe Sebastian Malin, të dy të akuzuar për ekzekutimin e Hekuran Billës në qershor të vitit në shkuar pranë një qendre tregtare në Tiranë.

Marku u arrestua me akuzën e ekzekutimit të Billës, kurse nipi i tij Sebastian Mali dyshohet se ka larguar vrasësin nga vendi i ngjarjes.

Më shumë se një vit pas ngjarjes së rëndë dhe arrestimit të tre të dyshuarve, bashkë me Adiola Lakrën, prokuroria nuk ka mundur të gjejë prova bindëse për gjykatën për të vijuar gjykimin dhe dhënien e dënimit ndaj tyre.

Lexo edhe: Sebastianin e tradhtuan lëvizjet dhe kamerat: Abc News zbardh dosjen hetimore për ekzekutimin e Billës

Në këtë mënyrë, duke qenë se ka mbaruar edhe afati i paraburgimit të dhënë më parë dhe në pamundësi nga prokuroria për të çuar prova të reja për zgjatjen e tij, gjykata është detyruar që të nxjerrë Markun dhe Malin nga qelia duke i lënë në “arrest shtëpie”.

Ashtu si dy të rinjtë, në qershor të këtij viti doli nga qelia edhe Adiola Lakra, e dashura e Billës që dyshohet se e nxorri në pritë.

Në momentin kur Lakra u nxorr nga qelia, pra qershor 2021, prokuroria kërkoi zgjatjen e afatit të hetimeve me tre muaj, gjë që gjykata ia miratoi. Por, duket se me kalimin e tre muajve ata nuk kanë gjetur prova të reja, ç’ka rezultoi në nxjerrjen nga qelia të dy të dyshuarve për vrasjen e Billës.

Ai u ekzekutua në qershor 2020 në Tiranë dhe sipas prokurorisë, vrasësi ishte Viktor Marku, pasi në vitin 2006, Billa i kishte vrarë atij vëllain në Angli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!