Për të tretën herë radhazi, Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi të shtyjë me tre muaj afatin e hetimit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë kësaj kohe shtesë, prokuroria do të presë një letërporosi nga Italia, do të kryejë verifikime për letërporosinë e ardhur nga Mali i Zi dhe verifikime pasurore.
Prokuroria për Krimet e Rënda shtyu deri në 17 janar 2019 afatin e hetimit për ish-ministrine Brendshëm, Saimir Tahiri. Ish-anëtari i kabinetit qeveritar po hetohet për akuzën e “trafikut të narkotikëve”, në formën e grupit të strukturuar krimiuan dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës.
Zgjatja me tre muaj e hetimit dhe momentit kur do vendoset mbi “fatin” e ish-ministrit nën hetim është konsideruar e nevojshme për prokurorët për administrimin e disa provave dhe kryerjen e disa veprimeve të nevojshme hetimore.
Sipas vendimit për zgjatjen e afatit, i siguruar nga “ABC News”, prokurorët kërkojnë kohë pasi ende janë në pritje të përgjigjes së një letër-porosie të dërguar në Itali. Bëhet fjalë për marrjen në pyetje të italian Frederico Silvestri, që dyshohet se u ka shitur një skaf grupit të “Habilajve”, mjet i përdorur në trafikun e drogës. Afati shtesë u nevojitej prokurorëve edhe për kryerjen e disa verifikimeve mbi letërporosinë e ardhur nga Mali i Zi, si edhe për kryerjen e verifikimeve pasurore.
Vendimi që shtyu për tretën herë me nga tre muaj afatin e hetimit për Tahirin u firmos nga katër prokurorët e çështjes Gentian Osmani, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arens Çela.
Hetimi ndaj ish-ministri Tahiri nisi një vit më parë, kur ai u dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e grupit kriminal të trafikut të drogës të drejtuar nga Moisi Habilaj. Sipas prokurorisë, duke përfituar nga lidhjet fisnore me ish-ministrin dhe kundrejt shpërblimeve financiare Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kultivuar bimë narkotike dhe transportuar ato jashtë vendit. Prokurorët e Krimeve prentedojnë se e gjithë veprimtaria e këtij grupi kriminal është garantuar dhe mbështetur nga strukturat e policisë së shtetit, ku një pjesë e përfitimeve monetare kanë shkuar tek Tahiri. Ish-ministri, që po hetohet në gjendje të lirë, në vijimësi ka mohuar çdo akuzë në emër të tij./abcnews.al