Prokuroria: Rama nuk na frikëson me deklaratat e tij

schedule13:35 - 23 Tetor, 2017

schedule 13:35 - 23 Tetor, 2017

Dhëmb për dhëmb iu kundërpërgjigj prokuroria e krimeve të rënda deklartave të kryeministrit. Pak pasi Rama përcmoi hetimin e proceduarat e ndjekura që cuan në kërkesën e organit të akuzës për t’i hequr lirinë ish-ministrit të brëndshëm saimir Tahiri,  Prokuroria për Krime të Rënda ritheksoi qëndrimin e saj se deklaratat politike nuk e kanë intimiduar dhe nuk mund ta intimidojnë aktivitetin e saj hetimor.

 

Prokuroria për Krime të Rënda e ka të qartë se, që në fillimet e këtij hetimi, do të përballej me goditje frontale politike, për shkak se person nën hetim është ish-ministri i Brendshëm dhe aktualisht deputet i Parlamentit të Shqipërisë.

Por, kjo nuk e pengoi aspak që t’i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për autorizimin për arrestimin e personit nën hetim.

 

Në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga organi i akuzës theksohet se gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

 

Në mënyrë publike, Kryeministri mori rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj. Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika.

 

Andaj prokuroria një kujtesë e ka edhe për Ramën… 

Prokuroria për Krime të Rënda ka pasur kënaqësinë, disa kohë më parë, të dëgjojë përvojën e homologëve të saj në Kroaci, hetimet e të cilëve, të nisura për një orë dore, përfunduan me arrestimin e, më tej, me dënimin e ish-kryeministrit të atij vendi. Gjithashtu, përvoja të ngjashme të suksesshme ka pasur edhe në vende, si Rumania e të tjerë.

 

Prokuroria thekson se nëse hetimet e Prokurorisë do të shoqërohen me ndërhyrje flagrante të politikës, atëherë qëllimi i Reformës në Drejtësi për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në nivele të larta, do të jetë një sfidë e cila nuk do të përballohet me sukses.

Prokuroria për Krime të Rënda garanton se po vijon hetimet e saj, si për rastin grupit te Habilajt pjesë e hetimit të të cilit është tashmë edhe ish-ministri i Brendshëm Tahiri, ashtu edhe për çështje të tjera të krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deklaratat politike dhe, sidomos presionet indirekte me procesin e Vetingut, nuk mund dhe nuk do të mund të cënojnë proceset hetimore, – përfundon reagimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj deklartave të kryeminsitrit Rama.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!