Prokuroria i kërkon Gjykatës burg për ish-ministrin Tahiri

schedule13:00 - 5 Korrik, 2018

schedule 13:00 - 5 Korrik, 2018

Pasi humbi betejën në Shkallën e Parë dhe Apelin e Krimeve, Prokuroria i kërkon Gjykatës së Lartë të caktojë masën “arrest në burg” për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët i kanë bërë rekurs vendimit të Apelit që liroi nga masa e “arrestit shtëpiak” ish-ministrin e akuzuar për “trafik narkotikësh” dhe “korrupsion”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk heq dorë nga kërkesa për dërgimin në qeli të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzohet për “trafik të narkotikëe” në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për “korrupsion”. Këtë radhë është Prokuroria e Apelit që i ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për lirimin nga “arresti shtëpiak” të Tahirit. Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë  Prokuroria kërkon prishjen dy vendimeve të mëparshme dhe caktimin e një mase sigurie “arrest në burg” për Tahirin.

Izolimi në paraburgim për ish-ministrin është kërkuar më herët nga Prokuroria në shkallën e parë dhe të dytë të Krimeve të Rënda. Ndërsa Shkalla e Parë e pranoi pjesërisht kërkesën duke caktuar masën “arrest shtëpie” për të në 12 maj 2018, 17 ditë më pas, në 28 maj Apeli e shfuqizoi këtë masë duke kthyer në gjendje lirie të plotë Saimir Tahirin.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dyshimet të forta se Saimir Tahiri, ndërsa ishte në pozicionin e ministrit të brendshëm, ka favorozuar anëtarë të grupit kriminal të “Habilajve” kundrejt përfitimeve montetare.

Në provat e paraqitura në Shkallën e Parë dhe të Dytë të Krimeve, prokurorët kanë listuar përgjimet e grupit të “Habilajve” në Itali në vitet 2013-2015,  bisedat për Tahirin dhe blerjen e një kostumi e disa bizhuve për të, si edhe shitjen e automjetit “AUDI” me targë “AA003GB” tek kushëriuri i tij. Prokurorët  pwrmendwn udhëtimet e Tahirit me Artan Habilajn drejt Korfuzit me mjetin e shitur, mbajtjen në përdorim të një skafi të blerë nga një biznesmen, si edhe remontin e bërë për këtë skaf në Itali nga ana e Moisi Habilajt.

Ndërsa dërgimi apo jo në qeli i Tahirit do të bëhet ccështje e Gjykatës së Lartë, në të njëjtën gjykatë prej muajit shkurt 2018 qëndron në pritje për shqyrtim rekursi i bërë kundër vendimit që liroi nga masa bllokuese pasaportën e ish-ministrit në dhjetor të viti të kaluar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!