Dy ditë pas publikimit të përgjimeve të bisedave të Moisi Habilajt me trafikantë të tjetrë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, në kuadër të hetimeve për këtë rrjet trafiku të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë. Organi i akuzës iu drejtua kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit ish-ministrit të Brendshëm.
Pas publikimit të emrit të ish-ministrit të Brendshëm ne bisedat e Habilajt dhe trafikanteve të tjerë, Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.
Kërkesa u dorëzua zyrtarisht në mesditë nga një përfaqësues i prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryesinë e kuvendit.
Burime të ABC News saktësojnë se, kërkesa për arrestimin e Saimir Tahirit, ishte përpiluar gjatë paradites së kësaj të enjteje në zyrën e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hjdarmataj, pas një konsultimi për gati tre orë me tre vartës të tij, prokurorë të krimeve të rënda.
Organi i akuzës bën të ditur se ka nisur një hetim për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Në bazë të të dhënave, thuhet në njoftimin e prokurorisë së përgjithshme, kërkohet nga Komisioni i Mandateve dhe rregullores në Kuvendin e Shqipërisë dhënia e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.
Gjithashtu, prokuroria jonë po zhvillon hetime në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në atë trafik ishin përfshirë kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Moisi dhe Florian Habilaj. Po kështu, gjatë bisedave të përgjuara ndërmjet anëtarve të grupit kriminal, i cili u prangaos disa ditë më parë në Siçili përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
https://www.youtube.com/watch?v=VyzmVVs_c5M