Prokuroria kërkoi 5 vite burg për Artur Zoton

schedule14:52 - 26 Prill, 2018

schedule 14:52 - 26 Prill, 2018

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 5 vite burg për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Artur Zoto, të akuzuar për “korrupsion”. Sipas Prokurorisë, Artur Zoto ka përfituar 2 milionë lekë rryshfet për një tender ushqimesh në burgje në vitin 2016. 

Artur Zoto, ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kishte zgjedhur të mos ishte në sallën e gjyqit në seancën e së enjtes ku prokuroria do të paraqiste pretencë.

Duke pasur përballë vetëm avokatin mbrojtës, prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj kërkoi një dënim me 5 vite burg për ish-zyrtarin e burgjeve. Sipas prokurorisë, nga gjykimi rezultoi e provuar se Artur Zoto ka konsumuar veprën penale të “korrupsinonit pasiv të zyrtarëve të lartë”.

Përmes një materiali voluminoz, prokurorja Imeraj i tha trupit gjykues se i pandehuri Zoto ka marrë një rryshfet prej 2 milionë lekë të rinj, për llogari të një tenderi të burgjeve për furnizim me vezë dhe bulmet. Bëhet fjalë për një procedurë pa negocim që daton në 31 Maj 2016.

Bazuar në prova e paraqitura në gjykim, mes të cilave qindra përgjime telefonike, prokuroria pretendon se kompanitë pjesëmarrëse në tender binin dakord paraprakisht për fituesin. Skema ishte bërë e zakonshme, thuhej në pretencë, referuar faktit se kompanitë pjesëmarrëse kishin një historik me Drejtorinë e Burgjeve.

Sipas prokurorisë, rolin e ndërmjetësit për dërgimin e shumës së parave e kishte bërë Iliaz Labi, ish-zv.drejtorit të Burgjeve. Labi ishte bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë proces, duke e kthyer dëshminë e tij në gjykim në një nga provat më të forta kundër Zotos.

Javën e kaluar Prokuroria për Krimet e Rënda lexoi konkluzionet edhe në procesin e veçuar të këtij gjykimi me të pandehur Iliaz Labin dhe katër biznesmenë.

Për Labin, akuza kërkoi 5 vite burg, por për shkak të bashkëpunimit të tij me prokurorinë, kërkoi pezullimin e këtij dënimi. Në vijimësi Artur Zoto ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!