Prokuroria italiane kërkon dënimin e tre ish-zyrtarëve të lartë

schedule20:06 - 26 Janar, 2018

schedule 20:06 - 26 Janar, 2018

Një ish-senator, një ish-ministër dhe një ish-zyrtar i lartë i karabinierëve në Itali rrezikojnë të dënohen nga drejtësia e vendit fqinj me mbi 30 vjet burg, për bashkëpunim me mafian siçiliane gjatë asaj që njihet si “periudha e masakrave”.

Prokuroria e Palermos, në Itali, ka kërkuar dënimin me 33 vjet burg të tre ish-zyrtarëve të lartë të vendit, të akuzuar për bashkëpunim me mafian siçiliane në fillim të viteve ‘90. Pas një procesi të gjatë hetimor, prokurorët kanë kërkuar 12 vjet burg për ish-senatorin Marcello Dell’Utri, 15 për ish-komandantin e operacioneve speciale të karabinierëve Mario Mori dhe 6 për ish-ministrin e Drejtësisë, Nicola Mancino.

Ish-zyrtarët në fjalë akuzohen se kanë luajtur role kyçe në ndërmjetësimin e shtetit italian me Cosa Nostra-n, një çështje komplekse mbi të cilën drejtësia e vendit fqinj po punon prej shumë vitesh për të hedhur dritë. Ndonëse mbi këtë aferë nuk ka ende një version zyrtar, sipas analistëve të mediave italiane, negociatat mes strukturave të shtetit dhe mafias nisën me vrasjen e prokurorëve Falcone dhe Borsellino.

Një favor ky, që Cosa Nostra do t’i bënte politikës në këmbim të lehtësimit të dënimit për eksponentët e organizatës mafioze. Por tratativat dolën nga kontrolli kur jakat e bardha nuk arritën të mbanin premtimet e tyre, gjë që shtyu mafian të hakmerrej me tre atentate me eksploziv në Romë, Firence dhe Milano. Në këtë fazë thuhet se hynë në lojë edhe tre të pandehurit, të cilët negociuan me krahun e moderuar të Cosa Nostra-s, që thuhet se i dorëzoi forcave të rendit bosin gjakatar Toto Riina, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!