Prokuroria i kërkon Agim Kajmakut të japë gjurmët e gishtërinjve

schedule12:58 - 26 Gusht, 2019

schedule 12:58 - 26 Gusht, 2019

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, që të japë shenjat e gishtave, pranë institutit të Policisë Shkencore. Verifikimi i figurës së Kajmakut ka nisur pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike.

Njësia e Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme i ka kërkuar kreut të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, që të depozitojë në Policinë Shkencore gjurmët e gishtërinjve.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Kajmaku ka 5 ditë kohë për t’u paraqitur në Institutin e Policisë Shkencore për të dhënë shenjat daktiloskopike. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin për të verifikuar nëse kryetari i Bashkisë së Vorës, ka çështje të hapura me drejtësinë greke, kërkesë kjo e bërë zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, fillimisht do të bëhen verifikimet në vendin tonë, pasi Kryebashkiaku i Vorës ka ndryshuar emrin dhe më pas do të dërgohet letërporosi drejt institucioneve të drejtësisë në Greqi, lidhur me të shkuarën e Agim Kajmakut.

Informacion në vendin tonë është kërkuar nga zyra e Gjendjes Gjyqësore, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroritë e Shkallëve të Para dhe ato të Apelit në Tiranë. Kërkesa për informacion është firmosur nga prokurori Arben Kraja që ditën e premte, por ekzekutimi është kryer këtë të hënë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!