Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkon Gjykatës së Lartë të bllokojë pasaportën e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Organi i akuzës i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve që i ktheu pasaportën Tahirit pasi shfuqizoi masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” të dhënë nga Shkalla e Parë.
Prokuroria për Krimet e Rënda nuk heq dorë nga kërkesa për bllokimin e pasaportës të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Pasi e humbi këtë betejë në Apel, ajo kërkon ricaktimin e të njëjtës mase shtërnguese ndaj ish-ministrit në Gjykatën e Lartë.
Organi i akuzës i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda të 26 Dhjetorit 2017, i cili liroi nga sekuestroja pasaportën e Tahirit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Lartë rekursi në fjalë është depozituar në 7 Shkurt 2018. Ai mban si objekt “Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Shorti i hedhur për këtë çështje ka përzgjedhur gjyqtarin Tom Ndreca si relatorin e saj, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar një datë për seancën e parë të këtij gjykimi.
Ish-ministri Tahiri po hetohet nga Krimet e Rënda për akuzën e “trafikut të narkotikëve në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal” dhe për “korrupsion i zyrtarëve të lartë”. Duke u bazuar në akte hetimore të drejtësisë italiane, prokuroria pretendon se Tahiri ka favorizuar anëtarët e dyshuar të grupit kriminal të Habilajve në trafikun e kanabisit. Në Janar, Prokuroria shtyu me tre muaj afatin e hetimit të kësaj çështjeje. Ditët e fundit Prokuroria e Krimeve i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve greke, ku kërkon të dhëna që mund të kenë interes për hetimin./abcnews.al