Prokuroria e Përgjithshme: Emiliano Nuhu kallëzoi vetëm Rexhep dhe Rrahman Rrajen

schedule18:08 - 3 Tetor, 2018

schedule 18:08 - 3 Tetor, 2018

Një ditë pas konfirmimit të masës arrest me burg për Rexhep Rrajën, Prokuroria e Përgjithshme bën të ditur se letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu, është dërguar për dijeni pranë këtij institucioni.

Letra i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokurorisë së Tiranës i është kërkuar që vlerësimi për situatën  e Nuhut, të bëhet sipas ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës regjistroi javën e kaluar procedimin penal për veprën penale“Kanosja për shkak të detyrës”, bazuar në referimin e komisariatit nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të Emiljano Nuhut.

Në kallëzim, thuhet në njoftimin e prokurorisë së përgjithshme, sikurse në shkresën e dërguar pranë saj, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.

Në njoftim, prokuroria bën të ditur se në kuadër të procedimit penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike, si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa hetimi vijon për zbardhjen e kësaj çështjeje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!