Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me çështjen e ish-krerëve të UCK-së, pasi Prokuroria dha pretencën ku kërkoi 45 vite burg përHashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për krime kundër njerëzimit.
Në reagimin e tij kryeministri Rama nuk arrin të kuptojë se nga buron logjika që ka ndjekur prokuroria për kërkesën e nxjerrë, ndërsa e cilëson një ‘varrosje për së gjalli të katër burrave”.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama:
Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxorri sot ajo prokurori në zemër të Europës demokratike!
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, ndërsa fjalën e tyre përfundimtare pritet ta mbajnë në seancën përmbyllëse të 18 shkurtit.
Të katërt ndodhen në paraburgim, në një proces të shoqëruar me shumë dritëhije që prej 2020-tës. /abcnews.al/


