Zyra e Prokurorit e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, të cilët akuzohen për veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.
Lajmi u konfirmuar nga Zyra e Prokurorit e Bosnjës dhe Herzegovinës (ZPBH) për Radion Evropa e Lirë (REL) më 11 gusht.
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës tha të premten për REL-in se kishte marrë kërkesë për konfirmimin e aktakuzës kundër Dodikut dhe Lukiqit nga ZPHB-ja.
Më 9 korrik, Zyra e Prokurorit e formoi një ekip të përbërë nga tre prokurorë, pasi u publikua dekreti i Dodikut në gazetën zyrtare të Republikës Sërpska, në lidhje me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë Schmidt.
Sipas dekretit të Dodikut, vendimet e përfaqësuesit të lartë nuk do të publikohen më në entitetin serb të Bosnjës, e as nuk do të respektohen, si dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës nuk do të vlejnë në territorin e entitetit serb në këtë vend.
Më 1 korrik, Schmidt i anuloi ligjet anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës./rel