Prokuroria dhe Policia e Lezhës nisin verifikimet për biznesmenin turk

schedule15:25 - 11 Shtator, 2019

schedule 15:25 - 11 Shtator, 2019

Prokuroria e Lezhës kërkon që të verifikohet vërtetësisë e dëshmisë së pronarit të mjetit lundrues Nedim Akyuz që u gjet i braktisur në ujërat shqiptare. Ai deponoi para akuzës duke pohuar se nuk ka dije për ngjarjen se si kapiteni i anijes së tij u zhduk, ndërsa kërkoi që mjeti luksoz të largohet nga aty me frikën se mos dëmtohet edhe më ku është i ankoruar në portin e Shëngjinit.

Nisin verifikimet për biznesmenin turk Nedim Akyuz, i cili është pronar i mjetit lundrues që u gjet i braktisur rreth 12 milje larg portit të Shëngjinit. Prokuroria e Lezhës ka administruar dëshminë e dhënë nga vetë Akyuz të martën para grupit hetimor si edhe bisedat e tyre telefonike dhe komunikimet me kapitenin e mjetit lundrues që rezulton i zhdukur Sevgin Yavuz prej 2 Shtatorit.

Hetimet e kryera nga autoritet turke ka rezultuar se biznesmeni i njohur i tekstileve Akyuz dhe kapiteni i humbur Yavuz nuk rezultojnë të kenë precedentë penalë në shtetin e tyre të origjinës.

Gjithashtu, po verifikohet nëse ndërmjet dy personave ka pasur më parë ndonjë konflikt, i cili mund të ndryshojë edhe rrjedhën e hetimeve për zhdukjen në mënyrë misterioze të kapitenit turk.

Burime nga organi i akuzës pohojnë se, hetimet po krye edhe për vërtetësinë e shkresave që kapiteni kishte kryer në portin e Tivarit në Malin e Zi. Ai kishte deklaruar se në bord ndodhej i vetëm dhe destinacioni final i tij do të ishte ishulli i Korfuzit në Greqi.

Pavarësisht ecurisë së hetimeve, Nedim Akyuz pronari i mjetit lundrues, vlera e të cilit shkon afërisht 1 milion euro, kërkon ta marr atë, pasi mund të dëmtohet edhe më tej gjatë qëndrimit në portet detare shqiptare.

Por, Prokuroria e Lezhës ka refuzuar kërkesën Akyuz dhe nuk lejon largimin e mjetit pa u mbyllur më parë hetimet mbi zhdukjen në mënyrë të pashpjegueshme të kapitenit turk që dyshohet se ka humbur kontaktet në ujërat territoriale shqiptare./ABC News Albania 24/7