Prokurori special amerikan kërkon të marrë në pyetje Presidentin Trump

schedule11:25 - 9 Janar, 2018

schedule 11:25 - 9 Janar, 2018

Presidenti amerikan mund të merret në pyetje mbi marrëveshjen e fshehtë mes stafit të tij elektoral dhe Moskës gjatë fushatës presidenciale. Sipas,Uashington Post, avokatët e Trump, po zhvillojnë negociata me hetuesit që duan të marrin në pyetje presidentin amerikan si pjesë e një hetimi të Departamentit të Drejtësisë.

E përditshmja amerikane Uashington Post, raporton se prokurori special Robert Myler do të marrë në pyetje kreun e shtëpisë së bardhë, Trump, brenda disa javësh. Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë lajmin, sipas të cilit presidenti do të pyetet së shpejti nga Prokurori Myler mbi marrëveshjen e fshehtë mes stafit të tij elektoral dhe Moskës gjatë fushatës presidenciale. Ndërkohë avokatët e Trump nuk kanë konfirmuar lajmin, por në të kaluarën raportime të tilla kanë rezultuar të vërteta.

Në raportimin e Uashington Post ndër të tjera shkruhet se hetimet po vazhdojnë me një ritëm të shpejtë dhe avokatët e Trump synojnë të shmangin një përballje të presidentit me prokurorin, duke shfrytëzuar mundësinë që disa përgjigje të dëergohen me shkrim. Ajo që është e sigurt, të paktën sipas mediave amerikane, është se hetuesit duan të marrin në pyetje presidentin. Bisedimet mes palës mbrojtëse dhe prokurorisë po zhvillohen për të vendosur kushtet e marrjes në pyetje si pjesë e hetimit për një bashkëpunim të pretenduar mes Moskës dhe stafit elektoral të ish kandidatit republikan për presidencën amerikane.

Robert Myler, ish drejtor i FBI-së nga viti 2001 deri në vitin 2013, aktualisht prokuror special, që drejton cështjen do të përqendrohet vecanërisht në arsyet që cuan në shkarkimin e ish drejtorit të FBI-së, James Komey, në muajin maj të një viti më parë. Tensionet mes Trump dhe Myler janë përshkallëzuar që nga momenti kur hetuesit bënë publike akuzat e para ndaj disa anëtarëve të stafit elektoral të angazhuar në fushatën e Trump. Presidenti Trump, gjithmonë ka mohuar “bashkëpunimin” midis stafit të tij dhe Moskës, duke e cilësuar këtë cështje një gjueti shtrigash./abcnews.al