Prokurori Smith ka kërkuar nga Twitter dorëzimin e të dhënave të llogarisë së zotit Trump

schedule07:24 - 10 Gusht, 2023

schedule 07:24 - 10 Gusht, 2023

Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, siguroi një urdhër sekret janarin e kaluar për të kontrolluar informacionet nga llogaria e ish-presidentit Trump në Twitter, tregojnë dokumentet e dorëzuara në gjykatë të mërkurën. Një gjykatëse e gjobiti kompaninë e mediave sociale me 350 mijë dollarë për mosrespektim të shpejtë të urdhërit për kontrollin e llogarisë së ish-presidentit Trump.

Zoti Trump kaloi pothuajse të gjithë mandatin e tij katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, duke postuar mijëra komente në Twitter, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se çfarë informacioni po kërkonte prokurori Smith me urdhrin për kontrollin e llogarisë së ish-presidentit.

Komentet në Twitter janë tashmë publike dhe zoti Trump shpesh e përdor platformën e mediave sociale për të fyer kundërshtarët e tij politikë dhe të tjerët me të cilët nuk është dakord. Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të tij për tubime politike, si ai pranë Shtëpisë së Bardhë më 6 janar 2021, pak përpara sulmit në Kapitol, të organizuar nga mbështetësit e tij, të cilët u përpoqën të bllokonin ligjvënësit që të certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Në dhjetor, përpara tubimit atë ditë, zoti Trump kishte përdorur Twitter-in për t’i nxitur mbështetësit që të shkonin në Uashington, duke thënë se 6 janari “do të jetë i egër”.

Prokurori Smith tashmë ka paditur dy herë ish-presidentin Trump. Javën e kaluar në Uashington, ndaj ish-presidentit u ngrit aktakuza për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Më herët në Florida, ai u akuzua për mbajtje në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago dhe për komplot për të mos i dorëzuar ato tek hetuesit federalë.

Ish-preisdenti Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe i ka cilësuar të motivuara politikisht paditë e prokurorit të posaçëm. Ai kryeson me një epërsi të madhe sondazhet kombëtare të republikanëve në përpjekjet për t’u bërë kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Marrja e të dhënave nga Twitter, që tani quhet X, mund të ketë qenë një përpjekje për të siguruar variantet e papublikuara të mesazheve në llogarinë e zotit Trump.

Twitter fillimisht i rezistoi urdhërit për dorëzimin e të dhënave në janar të këtij viti, një veprim që rezultoi në gjobitjen e kompanisë me 350 mijë dollarë për mosrespektim të urdhërit të gjykatës në kohë.

Një gjykatë federale e apelit në Uashington e la në fuqi gjobën muajin e kaluar dhe të mërkurën publikoi vendimin e saj për këtë çështje.

“Ndonëse Twitter përfundimisht e respektoi urdhrin, kompania nuk dha plotësisht informacionin e kërkuar deri tre ditë pas një afati të caktuar nga gjykata”, thuhet në vendimin e gjykatës së apelit në Uashington.

Lufta e Twitter-it me prokurorët e zotit Smith për zbulimin e detajeve në lidhje me postimet e zotit Trump në Twitter buroi nga kërkesa e prokurorëve për një urdhër që e ndalonte Twitter-in ta njoftonte zotin Trump për këtë çështje.

Gjykata e apelit vuri në dukje se gjykatësja Beryl Howell “kishte arsye legjitime” për të kontrolluar llogarinë në Twitter për prova të veprave penale. Për më tepër, gjykata e qarkut zbuloi se kishte “bazë të arsyeshme për të besuar” se informimi i zotit Trump për këtë urdhër “do të rrezikonte seriozisht hetimin” duke i dhënë atij “një mundësi për të shkatërruar provat, për të ndryshuar sjelljet.”

Twitter argumentoi se urdhri shkelte të drejtën kushtetuese të zotit Trump për liri të shprehjes, por gjykata e apelit la në fuqi vendimin e gjykatëses Howell./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!