Procesi i Vetingut në drejtesi ka rinisur pas pushimeve të gushtit. KPK rifilloi punën me seancën dëgjimore me prokurorin pranë Gjykatës së Apelit në Durrës, Bujar Hoti. Ai është në listën prioritare si kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
KPK ka prezantuar rezultatet e hetimit për Hotin. Sipas raportit në ILDKPI, prokurori Bujar Hoti ka bërë deklarim të saktë pasuror dhe s’ka fshehur pasurinë.
Sipas hetimit të KPK, prokurori Bujar Hoti ka në pronësi një apartament banimi 157 m2 në qytetin e Durrësit, me vlerë 4 milionë e 400 mijë lekë, i blerë me kredi. Sipas KPK-së, Hoti ka në pronësi një automjet tip Audi A4, blerë për 500 mijë lekë. Po ashtu prokurori është pronar i një toke are me sipërfaqe 4 mijë metra katrorë në Spitallë. Për këtë tokë, KPK i ka kërkuar informacion prefektit të Durrësit pasi kjo tokë ndodhet në zonën bregdetare, por nuk ka marrë ende përgjigje. Seanca dëgjimore në KPK vazhdon. Prokurori Bujar Hoti po merr pjesë në të, i asistuar edhe nga përfaqesuesi i tij ligjor Julian Mertiri./abcnews.al