Projekti Vlorë-Orikum, Meta takon Avokaten e Popullit: 60 ankesa nga banorët, transparencë

schedule19:00 - 21 Janar, 2021

schedule 19:00 - 21 Janar, 2021

Pas sqarimit të qytetarëve në terren për projektin e rrugës Vlorë-Orikum dhe akuzave kundër kryeministrit Edi Rama, Presidenti ka pritur në një takim Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca për problemet e pronave të banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit.

Presidenca njofton se kreu i shtetit u njoh nga Ballanca se Avokatit të Popullit janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje.

“Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një Raporti Përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”, – sqaroi Ballanca.

Zyra e shtypit thotë se Presidenti Meta e nxiti Avokaten e Popullit të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të pavarur, vlerësimin e ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara nga KEDNJ, Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, gjatë hartimit, miratimit dhe implementimit të projektit infrastrukturor “Vlorë-Orikum”.

Kreu i Shtetit theksoi se, nëse “Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë”.

“Qytetarëve u nevojitet transparencë, pasi çdo projekt infrastrukturor i një rëndësie kaq të madhe duhet të jetë i mirëmenduar, i konsultuar sipas kërkesave të ligjit dhe duhet të respektojë të drejtat themelore kushtetuese të banorëve dhe pronarëve.

Avokati i Popullit është pjesë e atyre institucioneve të veçanta, që me punën e tij, bën të mundur të garantohet funksionimi i shtetit ligjor, në respektim të të drejtave të njeriut. Ndaj pritshmëritë dhe shpresat që kanë qytetarët tek ky institucion, duhen justifikuar me punë objektive dhe të pavarur”, – theksoi Presidenti Meta./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!