Projekti “Uniforma ime”, koordinatori Davidhi: U kursejmë familjeve 2.5 mln euro

schedule10:46 - 1 Gusht, 2022

schedule 10:46 - 1 Gusht, 2022

Projekti “Uniforma Ime” u lançua pak javë më parë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe impakti që do të ketë në zhvillimin e futbollit pritet të jetë shumë i madh. Në një kohë që projekti vazhdon t’i prezantohet të gjitha komuniteteve në Shqipëri për përfitimet që do të kenë familjet shqiptare dhe fëmijët që luajnë futboll, grupet e punës në FSHF janë duke marrë të dhënat dhe po ecin me ritme të shpejta drejt implementimit të programit duke nisur që nga ky sezon.

“Uniforma Ime” parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 e më konkretisht uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Për të shpjeguar më në detaje këtë nismë Koordinatori i projektit “Uniforma Ime”, Daniel Davidhi dha një intervistë për Fshf.org, duke treguar se nisi kjo iniciativë dhe sa do të ndikojë në zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e futbollit të fëmijëve në vend. Davidhi thekson se familjet shqiptare do të kursejnë rreth 2.5 milionë euro në vit duke i marrë falas nga FSHF uniformat për fëmijët e tyre, teksa pritet që ulja e vazhdueshme e kostove për familjet shqiptare të ketë një impakt në afrimin e më shumë fëmijëve me botën e bukur të futbollit.

– Është lançuar prej disa javësh tashmë projekti “Uniforma Ime” nga Federata Shqiptare e Futbollit, një projekt mjaft ambicioz që ka si prioritet zhvillimin e futbollit të fëmijëve që luajnë futboll. Çfarë është ky projekt dhe pse është kaq i rëndësishëm?

– Në gjykimin tim, projekti “Uniforma Ime” është projekti më i rëndësishëm për Federatën Shqiptare të Futbollit në 2 vitet e fundit, pas finalizimit të ndërtimit të stadiumit kombëtar “Air Albania” dhe rindërtimi i stadiumit të Kukësit. Së fundmi Federata solli në Shqipëri dhe organizoi me sukses edhe finalen e UEFA Europa Conference League, një sukses për futbollin dhe një ndihmë e madhe për imazhin e vendit tonë.

Por projekti “Uniforma Ime” shkon në bazë, shkon te çdo fëmijë dhe te çdo i ri që luan futboll, shkon aty ku futbolli ka më shumë nevojë. Ndërtimi i një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë të zhvillimit të futbollit fillon dhe bazohet kryesisht te fëmijët, te akademitë dhe te rritja e zhvillimi i tyre me kushtet më të mira të mundshme, dhe baza materiale dhe seti dinjitoz i lojës e stërvitjes është një prej elementëve të rëndësishëm.

– Si erdhi Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në këtë vendim kaq të rëndësishëm? Ka pasur takime dhe konsultime të mëparshme me klube dhe Akademi të fëmijëve për të sjellë në jetë këtë projekt?

– Kjo ide dhe ky projekt nuk lindi sot, ka disa vite që Federata ka në planet e veta implementimin e këtij projekti, si rrjedhojë pikërisht e vështirësive dhe problematikave që akademitë dhe klubet tona kanë hasur. Në vitet e fundit janë bërë shumë investime në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, investime të cilat kërkojnë buxhete të mëdha, sidomos për një Federatë të vogël si e jona. Me finalizimin e investimeve madhore, dhe duke kaluar dhe periudhën e vështirë financiare dhe jo vetëm të shkaktuar nga pandemia, Komiteti Ekzekutiv gjeti hapësirë dhe buxhetoi këtë projekt duke filluar nga viti 2022 e në vazhdim.

Duhet të kihet parasysh se nuk është detyra e Federatës të furnizojë me bazë materiale klubet apo akademitë, por duke pasur parasysh kushtet ekonomike ku ndodhen familjet shqiptare, lind e domosdoshme për Federatën që me të gjitha mënyrat dhe mundësitë që ka në dore të shtyjë përpara sa të mundet zhvillimin e futbollit në vendin tonë, dhe të shoqërisë në përgjithësi.

Në vendet e tjera e të zhvilluara, për klubet baza materiale sigurohet kryesisht me anë të sponsoreve të ndryshëm lokalë, dhe shpresojmë që dhe në Shqipëri duke u bazuar në propozimet tona kryesisht për ligjin e sponsorizimeve, të vijë sa më shpejt ky moment edhe te ne. Pra, Federata është duke bërë aq sa ka në dorë, por sigurisht nevojat janë shumë të mëdha, dhe ka shumë faktorë e aktorë të tjerë politikë, ekonomikë dhe shoqëror që duhet të bëjnë detyrën e të japin kontributin e tyre, që fëmijët shqiptarë të kenë të gjithë kushtet e nevojshme si gjithë bashkëmoshatarët e tyre nëpër Europë.

– FSHF-ja prej disa vitesh ka lançuar dhe ka vënë në zbatim edhe projektin “Topi Im”. Sa i përket projektit “Uniforma Ime”, çfarë lehtësirash do të ofrojë dhe sa do të shkojë në total vlera e këtij projekti në një vit?

– Çdo fëmijë që luan futboll sot në Shqipëri, topin ja siguron falas Federata Shqiptare e Futbollit. Nga sezoni që do të nisë në shtator, përveç topit, çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri, nga mosha 7 vjeç deri në moshën 19 vjeç, dhe që është i regjistruar nëpër klubet, akademitë e shoqatat sportive në gjithë Shqipërinë do të marrë falas një set të plotë me bazën materiale të nevojshme. Ky set përfshin bluzën e lojës, bluzën e stërvitjes, pantallonat e shkurtra të lojës dhe të stërvitjes, një bluzë me mëngë të gjata për stërvitje në dimër, fëshen e shiut, geta, tutën e rreshtimit dhe të udhëtimit, dhe çantën e cila i përmbledh të gjitha këto.

Është një set mëse i plotë, që i jep mundësinë të gjithë fëmijëve të kenë një uniformë dinjitoze, të jene të gjithë të barabartë midis tyre, dhe të barabartë me gjithë bashkëmoshatarët e tyre europianë. Kosto për Federatën është rreth 1 milion euro çdo vit, ndërkohë përfitimi apo kursimi për familjet shqiptare që kanë fëmijë që luajnë futboll është rreth 2,5 milion euro çdo vit.

– Cilat janë objektivat që FSHF do të arrijë përmes këtij projekti?

– Federata përpara disa muajsh lançoi strategjinë “Futbollin për Kombin 2022-2025”. Në atë strategji kapitulli i parë dhe më i rëndësishëm është pikërisht zhvillimi i futbollit të fëmijëve. Objektivat janë të shumtë, më poshtë po listoj vetëm disa:

Krijimi i mundësive të të gjithë fëmijëve pavarësisht mundësive ekonomike, rajonit apo moshës, të kenë nga nesër gjithë setin e nevojshëm të një niveli shumë cilësor. Federata ka nënshkruar një kontrate furnizimi me kompaninë Macron, e cila furnizon dhe ekipin tone kombëtar, duke bërë të mundur një cilësi të lartë të standardeve europiane të uniformave për çdo fëmijë, pavarësisht mundësive ekonomike të familjeve të tyre.

Masivizimi dhe rritja e numrit të futbollistëve. Objektivi është dyfishimi i fëmijëve që merren me futboll në 4 vitet e ardhshme, dhe më besoni, efekti i këtij projekti është duke u ndjerë që në këtë vit të parë.

Edukimi – sporti është edukim, dhe një uniforme e denjë dhe dinjitoze është pjesë e rëndësishme e edukimit të çdo fëmije. Të gjithë me uniformë dinjitoze, të gjithë të barabarte, të gjithë duke luajtur e duke u rritur shëndetshëm.

Lehtësimi i familjeve shqiptare, duke bërë që edhe ato familje që deri dje nuk kane pasur mundësi mbase, sot mund t’i regjistrojnë fëmijët në futboll. Topin, fushat, mjekun, tanimë dhe bazën materiale i mbulon të gjitha FSHF, duke ua bërë më të lehtë të gjithëve. Dhe shumë e shumë objektiva të tjera në nivel kombëtar, suport akademive, rritje e imazhit, thithja e sponsorave, etj.

– Uniforma Ime” pritet të lehtësojë jo vetëm Akademitë e Futbollit, por edhe prindërit, të cilët janë përfitues direktë. Në terma financiarë, flasim për sa para më shumë në xhepat e tyre, duke kursyer për të blerë setet e fëmijëve?

– Siç e thashë dhe më sipër efekti total pritet të jetë rreth 2,5 milionë euro në vit kursim për familjet shqiptare. Një set i plotë në qoftë së sot blihet në dyqan kushton midis 150 dhe 200 euro. Çdo familje që ka një fëmijë në futboll do kursejë minimumi këtë vlerë çdo vit.

Vitin e parë kursimi është rreth 2,5 milionë euro, por me rritjen e numrit të futbollistëve kursimi sigurisht do jetë më i lartë vit pas viti. Me këtë rast shfrytëzoj mundësinë t’ju bëj thirrje sa më shumë prindërve që t’i orientojnë fëmijët drejt futbollit, por edhe drejt sportit në përgjithësi, duke ndihmuar në këtë mënyrë në rritjen sa më shëndetshme të fëmijëve të tyre.

Një element që duhet theksuar është që ky projekt nis sot dhe vazhdon çdo vit. Pra, çdo vit në vijim, çdo fëmijë, çdo lojtar do të marrë setin e vet të uniformës falas nga FSHF.

– Këto sete, a do të jenë falas vetëm për fëmijët, apo edhe për trajnerët e ekipeve?

– Edhe trajnerët janë pjesë e këtij projekti sigurisht, duke e kompletuar gjithë ekipin me një uniformë dinjitoze. Për trajnerët sigurisht jo i gjithë seti, por elementët e nevojshëm për ta. Për çdo ekip fëmijësh që merr pjesë në kampionatet rajonale, i ofrohet uniforma një trajneri, ndërkohë për ekipet që marrin pjesë në kampionatet kombëtare të moshave i ofrohet seti dy trajnerëve për ekip.

– Projekti pritet të nisë në shtator. Në çfarë faze jemi aktualisht dhe sa është numri i fëmijëve që do të përfitojnë uniforma falas gjatë këtij viti?

– Aktualisht janë marrë porositë me detajet, masat, ngjyrat, etj., nga të gjithë ekipet dhe të gjithë akademitë në të gjithë Shqipërinë, me ndihmën e Shoqatave Rajonale të Futbollit përkatëse, dhe një grup pune në FSHF është duke rishikuar e finalizuar këtë proces.

Gjithashtu, Federata dhe Shoqatat Rajonale kanë hartuar dhe rregulloren e procedurat për përfitimin e çdo seti nga klubet e akademitë, duke bërë të mundur që çdo uniformë të shkojë në vendin e duhur, dhe për të eliminuar çdo rast keqkuptimi apo “abuzimi” minimal që mund të ndodhë.

Në shtator çdo gjë do të jetë gati, do të bëhen regjistrimet e ekipeve dhe lojtarëve nëpër rajonet përkatëse, do të bëhen verifikimet përkatëse nga ana e administratës së FSHF-së, dhe do të bëhet shpërndarja në çdo qytet përpara fillimit të kompeticioneve përkatëse.