Projekti i 17 shkollave të reja vlerësohet në Sarajevë

schedule14:09 - 6 Prill, 2019

schedule 14:09 - 6 Prill, 2019

Nisma e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet u përzgjodh si një nga projektet më të mira në Samitin e Kryetarëve të Kryeqyteteve të Europës Juglindore që u mbajt në Sarajevë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky projekt do të nisë me shkollën në Kodër Kamëz.

Vlerësohet ndër më të mirët projekti i prezantuar në Sarajevë nga Bashkia Tiranë.

“Jam shumë i lumtur që projekti që u vlerësua më shumë nga Bashkia e Tiranës në Forumin e Samitit të kryeqyteteve ishte ai i 17 shkollave të reja. 17 shkolla që janë jo vetëm epiqendra të dijes, por edhe të jetës komunitare, duke filluar nga shkolla e parë në Kodër-Kamëz, ku bashkia tashmë e ka shpronësuar privatin, për t’i dhënë komunitetit prej 30 mijë banorësh një shkollë pas 30 vitesh”.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se shkollat e reja janë të dizenjuara nga arkitektët më të mirë, duke ofruar modele të suksesshme edhe për qytetet e tjera.

“Përpara se dikush të jetë student i mirë, duhet të jetë nxënës i mirë në 9-vjeçare, në gjimnaz, dhe pastaj të vazhdojë karrierën e vet akademike. Ndaj, jam shumë i lumtur që 17 shkollat e Tiranës, të gjitha të dizajnuara nga arkitektët më në zë, janë sot një shembull frymëzimi edhe për qytetet e tjera”.

Shkollat e reja do të ofrojnë një qasje perëndimore si në infrastrukturë, ashtu edhe në konceptim, për të qenë epiqendra kulturore dhe sociale të qytetit.

“Ndamë propozimet tona se si edhe në qytete të tjera, procesi i shkollave të konceptuara si qendra komunitare, të hapura 24 orë, me hapësira të bollshme për sport, për takime nga prindërit apo nga anëtarët e tjerë të komunitetit, janë sot filozofia e re; se si shkolla nuk është një vend parkimi 6 orësh për fëmijët, por edhe një hapësirë për gjithë mëhallën dhe komunitetin”.

Duke u ndalur te punimet e Samitit të Sarajevës, që bëri bashkë kryebashkiakët e Ballkanit, Veliaj theksoi se ky bashkëpunim i ri është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë prej modeleve dhe eksperiencave të suksesshme nga njëri-tjetri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!