Progres raporti për Maqedoninë, mediat zbulojnë detaje

schedule13:13 - 17 Prill, 2018

schedule 13:13 - 17 Prill, 2018

Në pritje të publikimit të progres raportit të Komisionit Europian, mediat maqedonase kanë publikuar disa detaje të tij. Shkupi shprehet optimist duke pritur hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Gjatë ditës Brukseli zyrtar pritet të publikojë progres raportin për vendet e Ballkanit Perendimor përfshirë këtu edhe Maqedoninë për rrugën e bërë drejt anëtarësimit. Agjencia maqedonase e lajmeve “Zhurnal” zbulon një pjesë të raportit ku shkruhet se vendi ka kaluar një krizë shumë të thellë politike dhe se për momentin po rimëkëmbet. Gjithsesi Shkupit i duhet edhe më shumë punë për një qëndrueshmëri politike.

Në raport shkruhet gjithashtu se Maqedonia gjatë kohës së krizës së emigrantëve ka qenë një partner shumë i besueshëm dhe se duhet vlerësuar vendosja e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në një intervistë për Deutsche Welle u shpreh se Maqedonia ka bërë një progres të konsiderueshëm vitin e fundit. Kukan gjithashtu vlerësoi edhe politikën e jashtme dinamike që drejton Zaev për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët.

Edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, një ditë përpara turit të saj Ballkanik nënvizoi rëndësinë strategjike që ka rajoni për Bashkimin Evropian. Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini dhe komisioneri për zgjerim Johanes Hahn turin Ballkanik e nisin nga Shqipëria, ndërsa të mërkurën pritet të vizitojnë Shkupin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!