Programi i vizave portugeze për investitorët

schedule23:10 - 29 Nëntor, 2021

schedule 23:10 - 29 Nëntor, 2021

Në Portugali, programi i vizave për investitorët u krijon mundësinë përfituesve që të marrin shtetësinë e atij vendi dhe rrjedhimisht të kenë qasje më të madhe në Bashkimin Evropian. Programi portugez prej kohësh ka tërhequr kinezët por tani po aplikojmë edhe shumë persona nga Hong Kongu dhe pjesë të tjera të botës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, Portugalia po bën ndryshime në programin e saj të vizave për investitorët.

Klima e ngrohtë buzë detit, ushqimi dhe stili mesdhetar i jetesës si dhe renditja e lartë në indeksin e paqes globale e bëjnë Portugalinë një vend shumë tërheqës.

Për vite me radhë, investitorët, kryesisht ata nga Kina kontinentale, kanë marrë pjesë në programin portugez të vizave për arsye të ndryshme. Së fundmi, interesi është shtuar edhe mes banorëve të Hong Kongut.

Firma e Richard Werner Grunerit ofron konsulencë për ata që janë të interesuar në “Programin e Artë të Vizave”. Në një bisedë me Zërin e Amerikës ai thotë se ka shumë faktorë që i nxisin investorët të aplikojnë për programin portugez të vizave.

“Gjëja më interesante është se shtysa kryesore për të gjithë investitorët nga e gjithë bota është që të kenë një alternativë që në shumë raste ka lidhje me fëmijët, dhënien e mundësive për t’u shkolluar, punësuar ose jetuar në Evropë.”

Ai thotë se pakënaqësia e banorëve të Hong Kongut lidhur me ligjin e ri kinez të sigurisë kombëtare është një tjetër arsye.

Por Portugalia nuk po tërheq vetëm kinezët, thotë për Zërin e Amerikës Maria Cabral de Azevedo, firma ligjore e së cilës ofron këshilla për ata që duan të aplikojnë për programin e vizave për investitorët.

“Kemi aplikantë nga Afrika e Jugut, Turqia, Brazili, pra ky program është shumë i përhapur. Aktualisht, kemi shumë klientë amerikanë që vijnë në Portugali. Është befasuese se sa amerikanë kanë ardhur në Portugali.”

Për të marrë një leje qëndrimi, që çon në marrjen e shtetësisë pas rreth pesë vitesh, një investitor mund të krijojë një kompani që ofron vende pune, blen ose rinovon prona ose investon në tregjet kapitale.

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, do të ketë ndryshime në program. Për shembull, shuma e kërkuar e investimit do të shkojë nga 350 mijë euro në 500 mijë euro. Zoti Richard Werner Gruner thotë për Zërin e Amerikës se do të ketë edhe ndryshime të tjera.

“Transferimi i kapitalit deri në fund të vitit do të jetë 1 milion euro. Pastaj do të rritet në 1.5 milionë euro. Pronat që ndodhen në Lisbonë, Porto dhe në bregdet do të përjashtohen nga programi. Pra, mund të investohet vetëm në zona me dendësi të ulët popullsie, pra kryesisht në brendësi të Portugalisë.”

Kosulenti Gruner thotë se ndryshimet kanë shtuar trysninë dhe investitorë nga e gjithë bota nxitojnë për të aplikuar para se të hynë në fuqi kërkesat e reja të programit të vizave për ata që duan të investojnë në Portugali./VOA